Rusia po përballet me një transformim të thellë dhe të ndërlikuar në mënyrën se si qytetarët përdorin internetin.
Kufizimet gjithnjë e më të shpeshta, bllokimi i platformave dhe presioni ndaj përdorimit të VPN-ve kanë krijuar një realitet të ri digjital, ku aksesimi i shërbimeve online nuk është më i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë.
Nga bisedat personale, te blerjet online dhe shërbimet bankare, çdo aktivitet digjital po kalon përmes filtrave të rinj teknikë dhe rregullatorë.
Në një raport të Reuters, jepet një pamje e detajuar e kësaj “bote të re digjitale”, ku qytetarët dhe bizneset po përshtaten me një sistem gjithnjë e më të kontrolluar.
Në një kafene në Moskë, një qytetare punon në laptopin e saj, pasi ajo është dizajnere dhe duhet të komunikojë me klientë jashtë Rusisë. Për këtë, përdor VPN.
Por në të njëjtën pajisje, VPN duhet çaktivizuar për të hyrë në shërbime të brendshme shtetërore apo platforma ruse që bllokojnë aksesin anonim.
“Është bërë pjesë e jetës sonë të përditshme. VPN ndezur, VPN fikur. Aplikacione të ndryshme për gjëra të ndryshme. Është e lodhshme, por nuk kemi alternativë.“
Shumë qytetarë në Moskë dhe qytete të tjera raportojnë të njëjtën situatë, internet i dobët ku shërbimet nuk funksionojnë njësoj për të gjithë përdoruesit.
Por këto kufizime nuk kanë prekur vetëm komunikimin mes njerëzve, pasi ato kanë ndikuar edhe në shërbime bazë si transporti, bankat dhe tregtia online.
Në disa raste, platformat kanë filluar të bllokojnë përdoruesit që hyjnë me VPN, duke i detyruar të çaktivizojnë mbrojtjen për të vazhduar shërbimin.
“Ne kemi pasur kufizime në internet. Normalisht dorëzimi bëhet brenda 30 minutave, por në ditët me probleme e rritëm kohën deri në dy orë. E parashikuam situatën dhe kjo na ndihmoi të shmangim vonesat e mëdha. Në përgjithësi nuk jemi ndikuar shumë, sepse dyqanet kanë Wi-Fi. Por problemi lind kur shpërndarësit janë në zona që nuk i njohin dhe nuk kanë navigim të saktë“, u shpreh Yuri Semichastnov, drejtues logjistike.
Ekspertët e internetit thonë se platformat online sot përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë ruse, duke zëvendësuar gradualisht tregtinë tradicionale.
“Platformat online kanë një rol të madh në ekonomi dhe tregtia digjitale po rritet me ritme shumë të shpejta, rreth 15 deri në 20 për qind në vit. Por kur përdoruesi duhet të ndërpresë procesin për të fikur VPN ose për të ndryshuar cilësimet, ai shpesh humbet interesin për blerje“, u shpreh Karen Kazaryan, instituti i studimeve të internetit.
Një tjetër problematikë është ndikimi në reklamim dhe marketing digjital, pasi sipas ekspertëve humbja e aksesit të thjeshtë në një faqe mund të ulë ndjeshëm futjen e klientëve në të.
Autoritetet ruse argumentojnë se kufizimet janë të lidhura me sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen nga kërcënimet kibernetike.
Por kritikët thonë se këto masa po e çojnë internetin drejt një kontrolli më të fortë dhe një izolimi gradual nga platformat globale.
Pavarësisht kufizimeve, përdorimi i VPN-ve është rritur ndjeshëm. Miliona shkarkime janë regjistruar vetëm brenda një muaji, duke treguar një përpjekje të qytetarëve për të ruajtur aksesin në internetin global.
Qytetarët thonë se janë përshtatur, por me shumë vështirësi. Shumë prej tyre përdorin disa telefona, aplikacione të ndryshme dhe mënyra alternative për të komunikuar.
Disa madje përdorin pajisje të veçanta për aplikacionet shtetërore, duke i ndarë ato nga komunikimi personal.
Ekspertë të tjerë të industrisë thonë se sistemi i internetit është bërë më kompleks dhe më pak i parashikueshëm.
Rusia po hyn në një fazë të re të menaxhimit të internetit, ku po bëhet gjithnjë e më i kufizuar, ku qytetarët tashmë e konsiderojnë si një realitet të ri.
/tvklan.al












Botërori 2026 