Kulla e Bajraktarit, ku ka jetuar edhe atdhetari Çun Mula, është rikthyer në identitet. Për të rikonstruktuar këtë kullë janë bërë bashkë emigrantë dhe bashkëatdhetarë nga e gjithë bota.

Trashëgimtari i familjes së Bajraktarëve të Hotit, Arian Bajraktari, tha se tashmë kulla e familjes së tij do të shndërrohet në Muzeun “Malësia”, duke theksuar se ky muze përfaqëson një histori të pasur 300-vjeçare dhe do t’i përkasë të gjithë komunitetit të Hotit në Malësinë e Madhe.

Arkitekti Zef Çuni, i cili është marrë me hartimin e projektit, tregon se është ruajtur origjinaliteti i saj.

Kulla e Bajraktarit, tashmë muze, nuk është thjesht një ndërtesë historike, por një simbol i rezistencës dhe krenarisë kombëtare.

Në këtë ceremoni morën pjesë qindra shqiptarë nga e gjithë bota, të cilët u kthyen në atdhe për të nderuar rrënjët e tyre dhe traditat e lashta.

Ata u veshën me xhubletën tradicionale, një simbol i fuqishëm i kulturës shqiptare, dhe shoqëruan festimet me tingujt e lahutës dhe vargjeve të Gjergj Fishtës, poetit të madh kombëtar, i cili ka një odë të dedikuar brenda muzeut, ku ka shkruar edhe vargjet e “Lahutës së Malësisë”.

Klan News