Kulla e Bajraktarit në Hot të Malësisë së Madhe, ku ka jetuar atdhetari Çun Mula, i është rikthyer identitetit. Ndërtesa mbi 300-vjecare është rikonstruktuar falë 440 mijë Dollarëve të mbledhur në një organizim të veçantë të bashaktdhetarëve që jetojnë jashtë vendit.

Trashëgimtari i familjes së Bajraktarëve të Hotit, Arian Bajraktari, tha se tashmë kulla e familjes së tij do të shndërrohet në një muze që do të mbajë emrin “Malësia”.

Hartuesi i projektit, arkitekti Zef Çuni tregon se gjatë rikonstruksionit është ruajtur origjinaliteti i kullës. Rivitalizimi i kësaj kulle ka një vlerë të rëndësishme për zonën.

Gjatë inaugurimit të saj, morën pjesë qindra shqiptarë nga e gjithë bota, të cilët u veshën me xhubletën tradicionale, një simbol i fuqishëm i kulturës shqiptare, dhe shoqëruan festimet me tingujt e lahutës dhe vargjeve të Gjergj Fishtës.

Kulla e Bajraktarit, tashmë muze, mbart historinë e Malësisë shqiptare, Lidhjen e Prizrenit dhe kontributin e figurave të shquara si Çun Mula, një nga heronjtë e kësaj zone që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Tv Klan