Përgjatë vijës bregdetare nuk do të ketë asnjë tolerancë për rastet e zaptimit të hapësirave publike. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, i kërkon policisë që të bëjë kontrolle të vazhdueshme në plazhe për të parë nëse respektohen distancat, qoftë midis çadrave, por edhe me bregun e detit.

 “Distanca e bregut të detit është publike, edhe kur bëhet fjalë për një parcelë të menaxhuar nga privati. 8 metrat përpara, secili mund të ulet të qëndrojë dhe askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë pagesë. Tendenca për t’u shtyrë përtej parcelës së kontraktuar do të jetë zaptim dhe do të hiqen shezlongët.”

Gjatë inspektimeve në terren, në vijën bregdetare të Bashkisë Kavajë, Kumbaro tha se është e rëndësishme që të ketë një ndërthurje mes plazheve të menaxhuara dhe atyre publike.

“Plazhet e Kavajës bashkë me plazhet e Durrësit janë vija bregdetare më e populluar, qoftë me pushues vendas, mysafirë nga Kosova dhe gjithnjë e më shumë edhe pushues të huaj. Bashkia Kavajë duhet të ketë dyfishuar numrin e plazheve publike. Është e pamundur që të kemi plazh publik në çdo bllok pallatesh.”

Subjektet private në plazhe duhet të tregojnë kujdes me muzikën e lartë. Në të gjithë vijën bregdetare të Kavajës janë 73 plazhe publike.

Tv Klan

/tvklan.al