Lezha ka krijuar një model për menaxhimin e mbetjeve dhe mbajtjen pastër të plazheve, por këtë vit, për shkak të rritjes së fluksit turistik me rreth 40%, sfida parashikohet të jetë më e madhe. Kështu u shpreh Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro nga Shëngjini e shoqëruar nga Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu në vijim të inspektimeve në bashkitë bregdetare.
Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit: E shoh që plazhi është i pastër dhe e di shumë mirë që sa herë nuk vijmë për t’ia treguar publikut është po njësoj. Deri vjet Bashkia Lezhë kishte flamurin e pastërtisë sidomos për hapësirat publike, por edhe për plazhet. Bashkia Lezhë e ka krijuar modelin e mirë. Unë mendoj se duhet të jemi të kënaqur edhe që na ndjekin, por edhe që kemi krijuar motivin për konkurrencë. Por kam frikë se këtë vit ka një konkurrencë shumë të fortë sepse në shumë nga plazhet kryetarët e bashkive janë shumë më të motivuar.
Ndërsa Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu u shpreh se interesi i të huajve përpos pushimeve është edhe në investimet në pasuri të paluajtshme.
Pjerin Ndreu, Kryetar i Bashkisë Lezhë: Vetëm për 1 vit e gjysmë janë shitur 400 apartamente tek të huajt dhe 800 tek shqiptarët e Kosovës. Statistikë e marrë zyrtarisht nga zyrat e noterisë që kanë bërë kontrata e shitjes, janë polakë, çekë, italianë gati 50 janë gjermanë, anglezë, ka nga e gjithë bota. Kanë blerë dhe francezë edhe izraelitë.
Në fillim të muajit maj u amenduan ndryshimet ligjore per rritjen deri në 30% të kundravajtjeve mjedisore dhe duke i kthyer ato në titull ekzekutiv, për të gjithë ata që nuk respektojnë ligjin.
Klan News