Kupa e Botës 2026, e cila do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ka nisur të marrë formë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka njoftuar se shorti i Botërorit, do të hidhet në Uashington më 5 dhjetor, në qendrën “Kennedy”.
“Është ngjarja më e madhe, ndoshta më e madhja në sport”, tha Trump në fjalën e tij.
Kohët e fundit, Trump ka qenë në disa aktivitete të FIFA-s, përfshirë finalen e Kupës së Botës për Klube në “MetLife Stadium”, që do të presë edhe finalen e Kupës së Botës më 19 korrik 2026. Ai gjithashtu ka mbajtur kontakte të rregullta me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
Ky edicion do të sjellë dy risi. Për herë të parë do të ketë tre vende pritëse, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika, si dhe do të jetë turneu i parë me 48 skuadra pjesëmarrëse.
Në SHBA janë zgjedhur 11 qytete pritëse, mes tyre New York /New Jersey, Los Anxhelos, Miami dhe Seattle. Meksika do të ketë tre qytete organizatore, ndërsa Kanadaja dy.
Turneu do të nisë më 11 qershor 2026 në Meksikë me dy ndeshjet e para. Kombëtarja amerikane do të luajë ndeshjen hapëse më 12 qershor në “SoFi Stadium”.
Sipas projeksioneve të FIFA-s, Kupa e Botës e vitit 2026 pritet të ndiqet nga 6 milionë tifozë në stadiume dhe të gjenerojë rreth 30 miliardë dollarë për ekonominë amerikane.
/tvklan.al












Botërori 2026 
