Kampionati botëror i futbollit po ndikon pozitivisht në rritjen e konsumit në nivel global. Sipas ekspertëve, rritja e konsumit do të sjellë një rritje të ekonomisë dhe më shumë të ardhura.

“Botërori është një event global dhe ka një shikueshmëri shumë të lartë, tendenca është që të rinjtë, meshkujt dhe femrat shikojnë në ambiente publike duke ndikuar në rritjen e konsumit. Ky është një nga komponentët kryesor të ekonomisë dhe ndikon në rritjen e ekonomisë, kjo rritje e konsumit në restorante bën që të ardhurat të shpërndahen në një shtresë shumë të madhe të shoqërisë duke ndikuar edhe në mirëqenie”, pohoi Klodian Muço, ekspert për çështjet e ekonomisë.

Një faktor kryesor në rritjen e konsumit në vend janë edhe të ardhurat nga turistët, dhe kryesisht ata për të parë ndeshjet e futbollit.

“Turistët që janë në Shqipëri nëpër hotelet ku pushojnë do të jenë të përqendruar të shikojnë ndeshjet e kombëtares së secilës prej tyre dhe do të rrisin konsumin duke u përqendruar më shumë tek pijet”, u shpreh Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar.

Tregu europian është ai që dominon turistët e huaj në Shqipëri.

“Ne kemi të gjithë tregjet në Shqipëri, dominojnë polakët, por janë edhe spanjollët, çekët, hungarezët, izraelitë, sidomos tregjet e Europës janë në Shqipëri për pushime”, tha nga ana tjetër Kasa.

Kupa e botës ka aktivizuar një ekonomi të tërë duke sjellë një rritje të ndjeshme të qarkullimit dhe konsumit në disa sektorë specifikë, nga njëra anë janë bizneset të cilët kanë investuar në pajisje si ekrane të mëdha për të parë ndeshjet. Sipas statistikave, në këtë periudhë të botërorit birra mbetet pija më e konsumuar.

Tv Klan

/tvklan.al