Kupa e Kombeve të Afrikës rrezikon të mos zhvillohet në këtë edicion. Kjo për shkak të protestave të dhunshme në vendin organizator, Marok. Por autoritetet vendase këmbëngulin që eventi do të mbahet sipas planit, pavarësisht rritjes së trazirave politike në vend.
Protestuesit kanë organizuar demonstrata të dhunshme, pasi gjykojnë se qeveria marokene e ka tepruar me investimet për futbollin.
Protestat e udhëhequra nga të rinjtë kanë shpërthyer në qytete të mëdha, ku kërkohet më shumë investime në shëndetësi, arsim dhe transport.
Qeveria ka konfirmuar se nga protestat e fundit u lënduan 20 protestues dhe 260 oficerë policie, ndërsa disa automjete policie u dogjën. Tre persona u vranë me armë zjarri ndërsa tentonin të sulmonin një stacion policie.
Protestuesit kanë vënë në shënjestër investimet e qeverisë marokene në futboll. Kupa e Kombeve të Afrikës do të zhvillohet nga 21 dhjetori deri më 18 janar. Presidenti i Konfederatës së Futbollit të Afrikës, Patrice Motsepe, tha nga Kongo se eventi do të vazhdojë siç ishte planifikuar, pavarësisht trazirave aktuale.
Në turne do të marrin pjesë 24 skuadra dhe ndeshjet do të luhen në nëntë stadiume në gjashtë qytete. Ylli i Liverpool-it, egjiptiani Mohamed Salah, pritet të jetë ndër lojtarët e Premier League që do të luajnë në këtë event.
Maroku është gjithashtu një nga tre vendet pritëse të Kupës së Botës 2030, së bashku me Spanjën dhe Portugalinë. Për eventin më të rëndësishëm të futbollit, qeveria po ndërton një stadium me 115,000 vende, “Stadiumi i Madh Hassan II”. Kostoja e tij do të arrijë në 4 miliardë euro dhe zyrtarët marokenë shpresojnë që të zgjidhet për të mbajtur finalen e madhe të kompeticionit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
