Kombëtarja e Shqipërisë ka lënë pas suksesin ndaj Hungarisë dhe ka nisur nga puna për sfidën e se mërkurës kundër San Marinos në “Elbasan Arena” që do të luhet në orën 20:45. Për kuqezinjtë nuk ka alternative tjetër përveç fitores, në mënyrë që të mbajnë gjallë shpresat për të marrë pjesë në botërorin Katar 2022.

Trajneri Edi Reja vendosi që futbollistët që u aktivizuan si titullarë në ndeshjen ndaj Hungarisë të dielën mbrëma të zhvillonin vetëm një seancë të reduktuar dhe pa ngarkesa fizike. Ndërsa pjesa tjetër e grupit bëri një seancë të plotë nën drejtimin e teknikut italian dhe stafit të tij.

Sokol Cikalleshi është shqetësimi i vetëm i Rejës. Ai nuk u aktivizua ndaj hungarezëve për shkak të një dëmtimi në gju dhe mjekët vendosin të martën nëse do të mund të luajë ndaj San Marinos. Lojtari kreu stërvitje të diferencuar. Dëmtime të vogla kishin edhe Lorenc Trashi, Nedim Bajrami e Bekim Balaj, por që të tre pritet që të jenë gati për lojë sipas stafit mjekësor kuqezi.

Mungesat e sfidës së radhës kualifikuese do të jenë Amir Abrashi, që ka pësuar një tërheqje. Ndërkohë, mesfushori Klaus Gjasula është i skualifikuar pas kartonit të marrë ndaj Hungarisë.

Elseid Hysaj, Keidi Bares dhe Rei Manaj, të cilët e shlyen pezullimin për shkak kartonësh dhe janë në dispozicion të teknikut. Kuqezinjtë janë të tretët në grup, me 9 pikë të grumbulluara, 1 më pak se sa Polonia.

Klan News