10 tetor 2026 – Tea Trifoni, specialiste marketingu dhe komunikimi, ishte e ftuar në emisionin “Rudina”, ku diskutoi për rolin që luajnë paratë në jetën tonë dhe ndikimin e tyre në mirëqenien personale.

Sipas saj, paraja nuk është thjesht një mjet për të plotësuar nevojat materiale, por edhe një instrument që mund të ndikojë në qetësinë shpirtërore dhe lirinë për të jetuar ashtu siç dëshirojmë.

“Unë e shoh si një instrument paranë, si një instrument që po dite ta menaxhosh mirë, mund të blejë gjithçka që do ti. Shpesh themi që paraja nuk blen gjithçka. Nuk ta blen dot qetësinë shpirtërore. Por ta blen qetësinë shpirtërore paraja, sepse kur ke siguruar veten tënde, kur ke siguruar familjen tënde, shëndetin, nëse ke probleme me shpirtin tënd dhe shëndetin tënd mendor, pa para nuk shkon dot në terapi, ta ndjekësh dhe t’i bësh vetes të gjitha shërbimet që ke nevojë për të qenë e qetë, për të qenë jo e stresuar, e për të pasur lirinë e të jetuarit siç do që ta jetosh”, tha ajo.

E pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse ekziston një shumë e caktuar parash që mund t’ia sigurojë atë, Trifoni pranoi se ende nuk e ka gjetur këtë ekuilibër. Ajo u shpreh me humor se ndoshta kur të bëhet milionere, mund ta ndihmojë të ndihet më e qetë.

“Unë nuk e kam gjetur qetësinë shpirtërore, kështu që nuk ta jap dot një shifër. S’e di, ndoshta kur të bëhem milionere, do të jem më e qetë”, tha ajo.

/tvklan.al