Kuraçao bëhet shteti më i vogël në histori që kualifikohet në fazën finale të një Kampionati Botëror, pasi barazoi pa gola kundër Xhamajkës në ndeshjen e fundit të kualifikueseve të konfederatës së Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF).
Panamaja dhe Haiti gjithashtu do të luajnë në eventin që do të organizohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Kuraçao gjendet në Karaibe dhe ka një popullsi prej vetëm 156,115 banorësh dhe një sipërfaqe prej 444 kilometrash katrorë.
Skuadra e mbylli fazën kualifikuese si e vetmja e pamposhtur në turne dhe u rendit në krye të Grupit B me 12 pikë.
Kuraçao thyen rekordin e Islandës, që u kualifikua në vitin 2018 me një popullsi prej pak më shumë se 350,000 banorësh.
Kombëtarja drejtohet nga trajneri Dick Advocaat, i cili mungoi në ndeshjen kundër Xhamajkës për arsye personale.
Advocaat ka qenë në krye të ekipit kombëtar të Holandës për tre periudha dhe ka menaxhuar Korenë e Jugut, Belgjikën dhe Rusinë, përpara se të ulet në stolin e Kuraçaos.
Ekipi do të mësojë kundërshtarët në fazën e grupeve për pjesëmarrjen historike në Kupën e Botës, kur të hidhet shorti më 5 dhjetor në Qendrën Kennedy në Uashington D.C.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
