Pas mbledhjes me ministrat, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se brenda javësh qeveria do të kthejë përgjigje zyrtare për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kurti ka kërkuar që çështja të trajtohet përmes një uniteti politik, por edhe mes një koordinimi më të gjerë edhe në bashkëpunim me Shqipërinë.
“Dhe ju e patë se në vendimin, në gjykimin e Dhomave të Specializuara, përmenden 14 komuna të Kosovës, po përmenden edhe dy në Shqipëri. Prandaj këtu duhet të jemi bashkë, jo vetëm spektri politik i Kosovës, bashkë si shtet gjithsesi, bashkë si shoqëri padyshim, por edhe bashkë me Shqipërinë. Dhe vetëm në këtë mënyrë, me një strategji të përbashkët shtetërore, me qëllimin e përbashkët, fitoren në Apel, ne dalim fitues”, tha Kurti.
Ndonëse nuk e kushtëzoi direkt ligjin për Specialen me presidentin e ri, Kurti kërkoi takim me liderët e partive të opozitës për votimin e një emri konsensual të kreut të ri të shtetit me 6 tetor me qëllim shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.
“Kosova nuk e ka luksin të humbasë kohë në kriza të panevojshme. Nuk ka nevojë të shkojmë në zgjedhje të panumërta vetëm për t’u kthyer në pikën e njëjtë. Është e domosdoshme që të kemi takime të reja”, tha Kurti.
Ndërsa grupit parlamentar i PDK-së, bojkotoi mbledhjen e komisioneve, duke deklaruar se nuk do të marrë pjesë në to pa u miratuar ligji për Dhomat e Specializuara.
“Për këtë Projektligj për Dhomat e Specializuara na thuhet që po kërkohet ekspertizë dhe po zvarritet procedimi i tij. Për PDK-në, kjo është e papranueshme. Kuvendi i Kosovës me votë unanime të 99 deputetëve e shprehu vullnetin për mbrojtjen e UÇK-së dhe të çlirimtarëve. Tani ky vullnet duhet të kthehet në veprim konkret”, tha deputetja e PDK, Blerta Deliu-Kodra.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 