Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara në Nju Jork me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Pas takimeve, Kallas ka theksuar nevojën për avancimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas saj, përparimi në normalizimin e marrëdhënieve duhet të ecë paralelisht me përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Kallas ka vënë theks të veçantë edhe te zbatimi i marrëveshjeve të arritura përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit.
Ajo ka nënvizuar se zbatimi i këtyre marrëveshjeve nuk duhet të shihet si një favor ndaj Brukselit, por si një detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj rajonit, i cili, sipas saj, pret marrëdhënie normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe në rrugën drejt BE-së duhet të ecin krah për krah. Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë detyruese. Zbatimi i tyre nuk është një favor ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve të tyre dhe ndaj një rajoni që pret marrëdhënie normale”, tha Kallas.
Kallas theksoi se BE-ja do të vazhdojë të jetë një ndërmjetës i paanshëm. Por lehtësimi i dialogut nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Kosovë dhe Serbi.
Takimet e Kallasit me Kurtin dhe Vuçiçin janë zhvilluar gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku çështja e dialogut Kosovë–Serbi mbetet pjesë e agjendës së diplomacisë evropiane.
Në reagimin e tij pas takimit me Kallas, Kurti shpreh shqetësimin për vendimin e Hagës.
“Kam shprehur shqetësimin e thellë për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, pas një procesi pa transparencë në tërësinë e tij. Gjykimi nuk ka përfunduar dhe Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikt të korrigjohen në shkallën e apelit. Ushtria Çlirimtare Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive e spastrimit etnik nga Serbia dhe lufta e saj për liri ishte e drejtë dhe e pastër”, tha Kurti.
Nga ana e tij presidenti Vuçiç tha se pati një një bisedë jo të lehtë në takimin me Kaja Kallas, shefen e diplomacisë evropiane.
“Një bisedë e hapur dhe e sinqertë, jo një bisedë e lehtë. Nga të gjitha temat, nga Gjenerali Mladiç, meqenëse nuk më pëlqen të fsheh asgjë, sigurisht, iu përgjigja kësaj, situatës në Kosovë përmbushjes së normave nga Marrëveshja e Brukselit, për të cilën insistoj, veçanërisht per krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe”, tha Vuçiç.
/tvklan.al












Botërori 2026 
