6 gusht 2026 – Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u shty pa afat, pasi deputetët bënë betimin, por nuk u zgjodhën kryetari dhe nënkryetarët. Kryeministri Albin Kurti kërkoi më shumë kohë për bisedime, ndërsa marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së ende nuk është arritur.

Sipas Kurtit, janë të domosdoshme bisedimet me subjektet politike me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për një president të ri unifikues.

Kurti theksoi se vendi ka nevojë për një dakordësim të gjerë që i shmanget një tjetër shpërndarjeje të parakohshme të Kuvendit. Sipas tij, shkuarja sërish në zgjedhje të reja do të ishte e paarsyeshme dhe e dëmshme për ekonominë e vendit.

“I nderuar kryesues i seancës konstituive. Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, të nderuar ambasadorë dhe diplomatë të tjerë. Urime të gjithëve për zgjedhjen si deputetë nga zgjedhjet parlamentare të parakohshme të shtatë qershorit, të tretat brenda 16 muajve. Ju uroj punë të mbarë dhe suksese në legjislaturën e 11-të.

Menjëherë pas certifikimit të rezultateve ne filluam takimet për konstituimin e institucioneve. Ato bisedime u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK. Rifillimi i bisedimeve u bë vetëm në këtë javë. Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me AAK-në. Refuzimi i tyre është i qartë.

Zgjedhjet e 7 qershorit na u shkaktuan sepse në prill nuk u zgjodh presidenti. Ne duam që të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordësimi sa më i gjerë për një president unifikues, ashtu sikurse e kërkon kushtetutshmëria, për të cilën u betuam sot.

Konstituimi kësaj radhe nuk bën që të jetë sërish drejt edhe në një shpërndarje të Kuvendit dhe përsëri në zgjedhje të parakohshme, të paarsyeshme, të panevojshme për qytetarët dhe të dëmshme për ekonominë. Prandaj kërkojmë kohë shtesë, që t’u japim shans bisedimeve politike për një marrëveshje për president apo për presidente të re”, tha Kurti.

“Pra, kur të kemi të siguruar që kemi bërë çdo gjë për ta shmangur shkuarjen edhe në një palë zgjedhje të panevojshme për shtetin, të paarsyeshme për qytetarët e të dëmshme për buxhetin dhe ekonominë“, shtoi ai.

Kurti ka qenë në bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por deri tani nuk ka pasur dakordësi.

Ai ftoi për bisedime Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën, të cilat e kanë refuzuar deri tani, duke zgjedhur të qëndrojnë në opozitë.

Partitë parlamentare kanë rreth 2 muaj për ta zgjedhur presidentin, ose vendi shkon sërish në zgjedhje.


/tvklan.al