“Le të na i sjellin deri nesër mbrëma tre emra të personaliteteve unifikuese, jashtë skenës aktuale politike…”

Kjo është oferta më e fundit e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, në adresë të partive opozitare me qëllim shmangien e zgjedhjeve. Më herët, në një postim në rrjetet sociale, Vetëvendosja kërkoi që tre emrat jo partiakë partitë t’i paraqisnin brenda së dielës.

Por ky propozim i Kurtit nga opozita u cilësua si jo serioz dhe tentativë për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Nuk është ofertë. Për ne nuk është ofertë. Çfarë oferte? Aspak serioze. Ne jemi parti të ndryshme politike. LDK është subjekt politik më vete. PDK është subjekt politik më vete”, u shpreh Bedri Hamza, Kryetar i PDK-së.

“Jemi dy ditë para se të kryhet afati kushtetues. Është e kuptueshme që loja e Kurtit, strategjia e tij do të vazhdojë kështu me këto veprime. Këtë që po e thotë sot ka mundur ta thotë ditën e parë. Kjo është një lojë dhe tallje me qytetarët dhe këto oferta nuk janë kredibile dhe askush nuk e di nëse këto që po i thotë i zbaton apo e ka për ta mbuluar fajin e tij për dërgimin e vendit në zgjedhje”, tha Ramush Haradinaj, Deputet i AAK-së.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka ndonjë reagim zyrtar, por qëndrimi paraprak refuzues erdhi nga deputeti Besian Mustafa, në formë ironie, duke i kërkuar Kurtit që ta zgjidhin ngërçin me PDK-në.

“Unë i ftoj LVV-në dhe PDK-në që së bashku të propozojnë 3 emra për President, kandidatë jashtë skenës aktuale politike. Së bashku do ta zgjidhnin Presidentin me lehtësi me 88 vota, LVV 66 + PDK 22. Për shkak të afateve kushtetuese, i pres deri nesër në mesnatë”.

Deri më 28 prill është afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri. Në rast të dështimit, brenda 45 ditësh, Kosova shkon sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Tv Klan

/tvklan.al