Vrasja e Liderit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, në valën e parë të sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael e ka futur Republikën Islamike në momentin e saj më të pasigurt që nga viti 1979.

Për këtë arsye, Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, Kryetari i Gjyqësorit Gholam-Hossein Mohseni-Eje’i dhe Zëvendëskryetari i Asamblesë së Ekspertëve, Alireza Arafi, si pjesë e këshillit të përkohshëm të udhëheqësisë, kanë nisur punën për zgjedhjen e pasuesit të tij.

Teksa është e vështirë të parashikohet se kush do të jetë drejtuesi i ri i vendit, mbijetesa e sistemit teokratik të vendit është në rrezik, pasi sipas analizave në agjencitë ndërkombëtare, ekuilibrat janë prishur dhe një pjesë e drejtuesve kryesorë janë vrarë.

Ndër emrat më të përfolur për t’u zgjedhur janë djali i madh i Khameneit, Mojtaba, dhe Hosein Khamenei, një nga 15 nipërit dhe mbesat e ish-liderit suprem.

Prej kohësh pritej që Trupa e Gardës Revolucionare Islamike të luante një rol kryesor në këtë proces, por nivelet e saj të larta janë dobësuar gjithashtu dhe nuk është e qartë se sa do të jetë ende në gjendje të ndikojë.

Kushtetuta thotë se një udhëheqës i ri duhet të zgjidhet brenda tre muajsh. Deri atëherë, detyrën e kanë marrë përsipër Pezeshkian, Arafi dhe Mohseni, të cilët kanë thënë se këshilli do të vazhdojë rrugën e Khameneit dhe janë zotuar për hakmarrje ndaj armikut.

Tv Klan

/tvklan.al