Në pjesën e dytë të “Shihemi në Gjyq”, u mundësua një lidhje telefonike me bashkëshortin e Mirelës, Kledionin. Ai pretendon se akuzat e dhunës prej tij janë të pavërteta dhe refuzon të japë shpjegime rreth situatës duke thënë se për gjithçka është e informuar policia dhe gjykata gjermane.
Me të njëjtën retorikë vijon për çdo pyetje që i drejtohet, ndërsa në studio janë fotot ku Mirela është dhunuar. I pyetur për këto foto nga moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea, Kledioni shmang çdo deklaratë.
Ardit Gjebrea: Kam vetëm një pyetje shumë të thjeshtë. Mirela na ka sjellë një foto ku ajo është e gjakosur. Presupozohet që ajo është bashkëshortja juaj. Kjo është një foto e montuar? Nëse ajo foto e gjakosur që ne pamë është bërë nga dikush tjetër, ti si bashkëshorti i saj ke pyetur ndonjëherë kush të ka gjakosur? Kush e ka gjakosur gruan tënde?
Kledion: E para e punës, po të kishin qenë këto gjëra të vërteta, unë nuk do të kisha qenë në këtë pozicion ku jam.
Ardit Gjebrea: Jam dakord, ti je në një pozicion, kush e ka gjakosur gruan tënde?
Mirela: Trego të vërtetën, lëri pozicionet! Trego të vërtetën që më ke rrahur, më ke dhunuar në sy të fëmijëve, më ke ofenduar, më ke ulur në sy të nënës e babait tënd, trego të vërtetën ore! Merrje të gjitha lekët i fusje në xhepin tënd dhe fëmijët i lije pa bukë derisa shkonte djali vidhte ndonjëherë në market! Trego të vërtetën! Më ke ulur sa një Zot e di! Çupa po qan, thotë mami hajde më merr, mos më lër vetëm!
Kledion: Unë jam ai që kur ma kanë shtrembër njerëzit, ua jep Zoti vetë atë që u takon.
Ardit Gjebrea: Po, po, jam dakord me gjithçka thua. Kush ta ka gjakosur gruan? Një burrë që i gjakosin gruan, kush ia ka gjakosur gruan?
Kledion: Janë të gjitha të deklaruara, s’kam pse jap shpjegime.
Ardit Gjebrea: Po kush e ka gjakosur? Këtë pyetje bëj unë.
Kledion: Z. Ardit, ti mund të bësh pyetje… gjërat janë e zezë mbi të bardhë për çdo hap, çdo pikë, çdo presje, është e vendosur aty ku duhet. Unë s’kam pse të të jap shpjegime pa lidhje.
Ardit Gjebrea: Unë po e nis nga pika 0. Nuk kemi dëgjuar asnjë histori. Shikojmë një grua të dhunuar që është gruaja jote. Kush e ka dhunuar këtë njeri, kaq?
Kledion: Nuk është më gruaja ime ajo sepse ne i kemi ndarë gjërat.
Ardit Gjebrea: Po, por kur është bërë kjo foto ka qenë gruaja jote.
Kledion: Z. Ardit! Gruaja ime po të kishte pasur mendje dhe t’i bënte gjërat siç duhej, nuk do të kishin përfunduar kështu./tvklan.al