Cole Tomas Allen nga Torrance, Kaliforni është nën shënjestër të autoriteteve amerikane për shkak të incidentit gjatë darkës vjetore të korrespondentëve amerikanë.

Sipas burimeve të zbatimit të ligjit, autori i dyshuar kishte udhëtuar nga Kalifornia drejt Çikagos dhe më pas në Uashington me tren, përpara se të afrohej në perimetrin e sigurisë së aktivitetit. Autoritetet bëjnë me dije se ai arriti të qëllojë dy herë me armë zjarri, por u neutralizua menjëherë nga forcat e sigurisë, pa mundur të depërtojë më tej në zonën e mbrojtur.

Nga të shtënat mbeti i plagosur një efektiv policie, i cili ndodhej i pajisur me jelek antiplumb dhe aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet amerikane kanë konfirmuar se ndaj Allen po zhvillohen hetime intensive, ndërsa FBI ka sekuestruar pajisje dhe dokumente të ndryshme për të zbardhur motivet e sulmit.

Dyshohet se ai kishte në shënjestër zyrtarë të administratës Trump.

Sipas deklaratave zyrtare, i dyshuari kishte shkruar edhe një letër, ku shprehte qëndrime ekstreme dhe armiqësore anti-Trump, duke u vetëquajtur “vrasës federal”.

Burime të tjera bëjnë me dije se armët e përdorura ishin blerë ligjërisht në Kaliforni vitet e fundit.

31-vjeçari rezulton me arsim të lartë në inxhinieri mekanike dhe shkenca kompjuterike. Persona që e njihnin e përshkruajnë si individ të qetë dhe të talentuar, çka ka shtuar edhe më shumë tronditjen në komunitetin e tij në Torrance.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota dhe motivin e këtij sulmi që tronditi një nga ngjarjet më të rëndësishme mediatike në Shtetet e Bashkuara.

Klan News

/tvklan.al