Lucy Powell është zgjedhur zëvendëslidere e Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar me 87 mijë e 407 vota kundrejt 73 mijë e 536 votave që mori rivalja e saj Bridget Phillipson.

Në fakt, Powell, e cila ishte udhëheqëse e Dhomës së Komunave derisa u shkarkua në riorganizimin që Keir Starmer bëri në fillim të shtatorit, është parë si favorite gjatë gjithë garës.

Kush është Lucy Powell

Jeta e saj politike ka nisur shumë herët, në fakt, qysh ditën që ajo lindi. BBC shkruan se nëna e saj kishte qenë gati për të lindur pikërisht ditën e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1974, por e vonoi shkuarjen në spital vetëm që të arrinte të votonte më parë.

“Ne gjithmonë thoshim: ‘ajo ishte duke lindur dhe votoi për Laburistët’,” tregon Powell me humor në një intervistë për podcast-in “Political Thinking”.

Që në moshën nëntëvjeçare, babai i saj, një aktivist laburist, e përfshiu në fushatat e partisë, duke e shpërblyer me një kartëmonedhë njëpaundëshe për ndihmën e saj.

Powell u rrit në lagjen Didsbury të Manchester-it, një zonë që shpesh quhet si “rripi i ndërmjetësve të bursës”. “Tani është më luksoze, por atëherë nuk ishte aq,” ka thënë Powell.

Nga rreth 200 nxënës që kishte në shkollën e saj të mesme, Powell ishte e vetmja që u pranua në Universitetin e Oksfordit, një arritje që në atë kohë nuk e gëzoi aspak.
“Kam qarë ditën që mora ofertën,” kujton ajo. “Nuk doja të shkoja.” Megjithatë, shkoi për të studiuar për kimi, por qëndroi vetëm një vit dhe më pas u transferua në King’s College London, ku tha se ndihej “më rehat”.

“Si vajzë nga një shkollë e mesme veriore që mbërriti në Oksford në vitin 1993, ndihesha si një rosë jashtë ujit,” rrëfen Powell. “Harry Potter nuk ishte shkruar ende, por aty dukej si Hogwarts,” i tha ajo gazetës, duke shtuar se për një adoleshente që i kalonte fundjavat në klubin legjendar Hacienda, mjedisi “i ngurtë” i Somerville College nuk i përshtatej.

Pas universitetit, Powell nisi karrierën e saj politike duke punuar për deputeten laburiste dhe aktoren fituese të ccmimit Oskar, Glenda Jackson, dhe më pas për Beverley Hughes.

Nga viti 1998 deri në vitin 2005, Lucy Powell punoi për organizatën Britain in Europe, që promovonte anëtarësimin e Mbretërisë së Bashkuar në BE.

Në vitin 2010, ajo drejtoi me sukses fushatën e Ed Miliband-it për udhëheqës të Laburistëve dhe më pas shërbeu si zëvendës shefe e stafit të tij deri në vitin 2012, kur fitoi zgjedhjet për deputete të Manchester Central.

Një vit më vonë u emërua në kabinetin në hije dhe shërbeu në disa poste deri në vitin 2016.
Powellishte një nga të paktët laburistë të qendrës në parti që mbetën në kabinetin në hije, kur Jeremy Corbyn, i cili vinte nga e majta e partisë, u bë papritur udhëheqës i Partisë Laburiste.

Megjithatë, në vitin 2016 ajo dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj udhëheqjes së tij dhe mbështeti një përpjekje për grusht shteti që në fund të fundit nuk pati sukses nga Owen Smith. Powell u rikthye në kabinetin hije në vitin 2020, kur Keir Starmer mori drejtimin e partisë dhe e emëroi sekretare në hije për banesat.

Pas fitores së Laburistëve në zgjedhjet e vitit 2024, Powell u bë Lidere e Dhomës së Komunave, me detyrë të menaxhonte punët qeveritare në parlament dhe të modernizonte institucionin.

Në riformatimin e madh pas dorëheqjes së Angela Rayner në shtator, Powell ishte një nga ministrat e paktë që u shkarkuan nga qeveria. Ajo e përshkroi vendimin si “një tronditje, por jo një surprizë të plotë”.

E pyetur nëse kryeministri i dha ndonjë arsye, Powell tha: “Jo, e pyeta, por ai vetëm më tha ‘duhet të bëj disa ndryshime’.” Duke reflektuar, Powell tha: “E di që nuk jam pjesë e rrethit të ngushtë. Nuk luaj lojërat e sallave.” Ajo shtoi se kishte dhënë “përgjigje që ndoshta disa nuk donin t’i dëgjonin”, sidomos për vështirësitë që do të sillnin ndryshimet në legjislacionin për mirëqenien.

Para zgjedhjeve për zëvendëskryetare, Powell theksoi se nëse fitonte, nuk do të kërkonte një rol qeveritar, sepse “nuk donte të kufizohej nga detyrimet e kabinetit”. Ajo e përshkroi rolin e zëvendëslideres si një “urë lidhëse midis udhëheqjes dhe anëtarëve” dhe si “drejtuese e fushatës së partisë”.

Për vizionin e saj mbi Laburistët, Powell tha se zona e saj elektorale në Manchester Central përfshin “zgjedhës tipikë të ‘Red Wall’-it (Murit të kuq), punëtorë të bardhë, më të moshuar” dhe gjithashtu “të rinj liberalë me prirje të majta që nuk kanë lidhje tradicionale me Laburistët”.
“Pyetja për Laburistët,” tha ajo, “është si t’i bashkojmë këto dy grupe.” “Nuk besoj se zgjidhja është të anojmë nga njëra anë apo tjetra.”

Sipas saj, Laburistët mund ta arrijnë këtë duke ndërtuar “një ekonomi më të drejtë, që funksionon në interes të shumicës, jo të pakicës”. Duke iu referuar disa vendimeve si heqja e pagesës për karburantin dhe shkurtimet në ndihmën sociale të dimrit, ajo pranoi: “Disa nga gabimet që kemi bërë kanë krijuar përshtypjen se nuk jemi në anën e njerëzve të zakonshëm.”

/tvklan.al