Presidenti rus, Vladimir Putin, ka një histori të gjatë të manipulimit të liderëve perëndimorë dhe të zvarritjes së tyre përmes premtimeve dhe dialogut pa rezultat.

George W. Bush, për shembull, pretendonte se, pasi e kishte parë Putinin në sy, kishte arritur të kuptonte se ai ishte një njeri “i drejtpërdrejtë dhe i besueshëm”.

Ndërkohë, Angela Merkel, kancelarja e atëhershme gjermane, dhe François Hollande, presidenti i Francës, u përfshinë për një kohë të gjatë në përpjekje diplomatike të pafrytshme me Putinin, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Më së fundi, Steve Witkoff, i dërguari i administratës së Donald Trump-it për çështjet e negociatave, shkoi edhe më tej në vlerësimin e tij naiv, duke e cilësuar Putinin si një “humanitar”. Të nesërmen në mëngjes, një sulm me raketa rus ndaj stacionit hekurudhor të Dnipros në Ukrainë vrau 15 civilë.

Megjithatë, pavarësisht këtij bilanci, komunikimi me Rusinë e Putinit vazhdon.

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara pritet të zhvillojnë së shpejti bisedime për paqen në Abu Dhabi, ose në një vend tjetër, nëse zhvillimet e luftës e bëjnë të pamundur takimin atje.

Në këtë kontekst, në Perëndim janë kristalizuar tri qasje të ndryshme për mënyrën se si duhet trajtuar Putini.

Qasja e parë udhëhiqet nga Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump-it. Ata e përqendrojnë vëmendjen te mundësia që Ukraina të pranojë të lëshojë territore të tjera në këmbim të një marrëveshjeje paqeje, ndërsa nga ana amerikane synojnë të sigurojnë marrëveshje ekonomike dhe biznesi me Rusinë.

Qasja e dytë përfaqësohet nga presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, dhe kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre. Të dy janë mbështetës të vendosur të Ukrainës, por mendojnë se edhe evropianët duhet të komunikojnë drejtpërdrejt me Moskën. Javën e kaluar, ata zhvilluan një bisedë telefonike 90-minutëshe me Putinin.

Qasja e tretë mbështetet në bindjen se bisedimet me Putinin janë të kota dhe madje kundërproduktive. Ky qëndrim gjen mbështetje të gjerë në shtetet baltike dhe në Poloni.

Për shumë muaj, dialogu me Moskën është dominuar nga Witkoff dhe Kushner. Propozimi i tyre që Ukraina të heqë dorë nga territoret që ende kontrollon, në këmbim të një marrëveshjeje paqeje, u perceptua në Kiev dhe në një pjesë të madhe të Evropës si një tradhti ndaj interesave ukrainase.

Kohët e fundit, ata kanë nxitur gjithnjë e më shumë idenë e marrëveshjeve ekonomike dhe të biznesit mes SHBA-ve dhe Rusisë pas përfundimit të luftës. Në pjesën më të madhe të Europës, përqendrimi i Witkoff-it dhe Kushnerit te interesat tregtare si element qendror i një marrëveshjeje paqeje me Rusinë shihet si naivitet në rastin më të mirë dhe si sjellje e motivuar nga interesa të dyshimta në rastin më të keq.

Stubb dhe Støre mbajnë kontakte të ngushta me Witkoff-in dhe Kushnerin, por nuk ndajnë bindjen se Washingtoni duhet të ketë monopolin e dialogut me Putinin. Përkundrazi, ata mendojnë se është gabim që Europa dhe Ukraina t’ia lënë tërësisht në dorë Amerikës komunikimin me Moskën. Synimi i tyre është që Europa të rifitojë rolin dhe ndikimin e saj në procesin diplomatik.

Përpara bisedës me Putinin, liderët finlandezë dhe norvegjezë u konsultuan gjerësisht me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Gjatë komunikimit me kreun e Kremlinit, ata përcollën mesazhin se Zelensky është i gatshëm të takohet drejtpërdrejt me Putinin për të diskutuar çështjen e territoreve dhe garancitë e sigurisë, si për Ukrainën, ashtu edhe për Rusinë.

Sipas asaj që është bërë e ditur, Putini u shpreh i gatshëm të takohej me Zelensky-n, por vetëm kur të bëhet e qartë se një marrëveshje përfundimtare është pranë arritjes.

Për të krijuar kushtet që një marrëveshje e tillë të bëhet e mundur, liderët rusë, finlandezë dhe norvegjezë diskutuan edhe për masa të ndërtimit të besimit. Mes tyre mund të përfshihen armëpushime të pjesshme, të kufizuara në mbrojtjen e prodhimit të energjisë dhe transportit të produkteve ushqimore, si dhe shkëmbime të të burgosurve.

Në një fazë të mëvonshme, Stubb dhe Støre parashikojnë që të tërhiqen nga roli drejtues, për t’ia kaluar dialogun me Kremlinin Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me Bashkimin Europian dhe, ndoshta, Italinë.

Megjithatë, nisma e tyre ka hasur në kritika të forta nga disa prej partnerëve evropianë. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, u shpreh se ishte “shumë skeptike” ndaj kësaj nisme të Finlandës dhe Norvegjisë. Sipas saj, një qasje e tillë rrezikon të krijojë përçarje brenda Europës dhe, në këtë mënyrë, të lehtësojë presionin ndaj Rusisë.

Ndoshta në mënyrë të pavullnetshme, Stubb dhe Støre kanë marrë edhe një mbështetje të papritur nga vetë Putini. Kreu i Kremlinit i lavdëroi ata si shembuj të “njerëzve në Europë që nuk duan t’i shkaktojnë Rusisë një disfatë strategjike, siç duan disa të tjerë, por synojnë të vendosin një lloj dialogu konstruktiv”.

Në fakt, pikërisht çështja nëse disfata strategjike e Rusisë duhet të jetë objektivi i Europës qëndron në themel të përplasjes mes kampit të Stubb-it dhe atij të Frederiksenit.

Për kryeministren daneze dhe ata që ndajnë të njëjtin qëndrim me të, i vetmi përfundim vërtet i pranueshëm i luftës është mposhtja e Rusisë dhe rrëzimi i regjimit të Putinit.

Ndërsa për kampin e Stubb-it dhe Støre-s, ideja e një disfate strategjike të Rusisë është një objektiv i rrezikshëm dhe jorealist. Sipas tyre, një skenar i tillë ka pak gjasa të realizohet dhe, edhe nëse do të ndodhte, pasojat e tij nuk do të ishin domosdoshmërisht pozitive.

Përveç përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, këta liderë evropianë po mendojnë që tani edhe për mënyrën se si duhet të ndërtohen marrëdhëniet mes Europës dhe Rusisë në periudhën pas luftës.

Megjithatë, të tria qasjet që Perëndimi po ndjek ndaj Putinit kanë dobësitë dhe pikat e tyre të verbra.

Besimi i administratës Trump se Rusia mund të joshet drejt një marrëveshjeje paqeje përmes premtimeve për përfitime ekonomike është një keqlexim i qëllimshëm i motivimeve të Putinit. Ai nuk e nisi pushtimin e Ukrainës për arsye ekonomike dhe nuk do t’i japë fund luftës në këmbim të një marrëveshjeje për naftën apo të përfitimeve të tjera tregtare.

Nga ana tjetër, ata që këmbëngulin te disfata strategjike e Rusisë nuk kanë paraqitur ende një skenar bindës se si mund të arrihet një rezultat i tillë. Ata gjithashtu priren të nënvlerësojnë koston e jashtëzakonshme që Ukraina do të duhet të paguajë nëse lufta zgjatet edhe për shumë vite të tjera.

Në të kundërt, europianët që këmbëngulin se tani është momenti për të hapur një dialog me Putinin mund të jenë duke ushqyer iluzione për gatishmërinë e tij reale për të negociuar një marrëveshje paqeje.

Të gjitha shenjat tregojnë se udhëheqësi rus synon ta gjunjëzojë Ukrainën gjatë dimrit, duke intensifikuar përpjekjet për të shkatërruar infrastrukturën e saj energjetike dhe një pjesë të madhe të kapaciteteve industriale të vendit.

Edhe vetë Putini, megjithatë, nuk është i imunizuar ndaj iluzioneve të tij. Prej kohësh, ai e ka mbivlerësuar përparimin e ushtrisë ruse në fushën e betejës dhe ka nënvlerësuar qëndrueshmërinë dhe aftësinë e Ukrainës për të rezistuar.

Paqja në Ukrainë do të ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm dhe i mirëpritur. Por, pavarësisht përpjekjeve diplomatike dhe debateve që po zhvillohen në Perëndim, ajo ende duket shumë larg.

Artikulli është përshtatur në shqip nga Financial Times

/tvklan.al