Negociatorët amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff mbërritën në Kiev këtë të diel për ditën e dytë të bisedimeve që synojnë t’i japin fund luftës ruse.
Diplomatët u pritën nga presidenti Volodymyr Zelensky në Sheshin Sofia, në qendër të kryeqytetit, shumë pranë selisë qendrore të shërbimeve të inteligjencës, e cila u godit nga një sulm rus dy ditë më parë.
Kjo është hera e parë që dy të besuarit e Trump kanë vizituar Kievin për përpjekjet e paqes, pavarësisht vizitave të shumta në Moskë.
Një ditë më parë, të dy u pritën nga presidenti rus Putin për plot tre orë për bisedime që u cilësuan si shumë të dobishme.
Sipas ndihmësit të Kremlinit, Yuri Ushakov, Witkoff dhe Kushner propozuan një sërë idesh për një zgjidhje të mundshme, por megjithatë nuk dha ndonjë shenjë përparimi.
Ai tha se Putini u kishte thënë palës amerikane se Rusia po bënte përparim të vërtetë në fushën e betejës dhe ishte e bindur se do të arrinte qëllimet e saj, ndërsa theksoi domosdoshmërinë e adresimit të të gjitha shkaqeve rrënjësore të konfliktit.
Këto janë deklarata që Moska i ka bërë vazhdimisht, ndërsa në muajt e fundit të dyja palët kanë intensifikuar sulmet ajrore me rreze të gjatë veprimi. Vijat e frontit mbeten kryesisht statike.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për media se bisedimet kishin qenë substanciale dhe se hapat e mëtejshëm do të njoftohen në javët e ardhshme, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 