Një krizë e paprecedentë diplomatike ka shpërthyer mes Parisit dhe Uashingtonit. Ambasadori amerikan në Francë, Charles Kushner, vjehrri i presidentit Donald Trump, është ndaluar të takojë anëtarët e qeverisë franceze. Ky vendim ekstrem erdhi pasi Kushner refuzoi për të dytën herë thirrjen zyrtare në Ministrinë e Jashtme për të dhënë shpjegime mbi komentet e tij të fundit.

Shkak u bë vrasja e aktivistit të djathtë Quentin Deranque, i cili u rrah për vdekje nga grupe të majta javën e kaluar. Ambasada amerikane e krahasoi ngjarjen me vrasjen e Charlie Kirkut dhe paralajmëroi në rrjetet sociale se dhuna nga e majta radikale është në rritje dhe përbën një kërcënim për sigurinë publike – komente këto që irrituan Parisin zyrtar.

Kjo nuk është hera e parë që Kushner sfidon diplomacinë franceze. Edhe në gusht të vitit 2025 ai kritikoi autoritetet për dështim ndaj akteve antisemite. Tashmë, me urdhrin e ri, marrëdhëniet mes dy aleatëve historikë kanë rënë në pikën më të ulët, duke e lënë ambasadorin amerikan praktikisht të izoluar nga kabineti i Macron.

Tv Klan

/tvklan.al