I dërguari special amerikan Jared Kushner i ka dhënë një ultimatum të prerë Hamasit, duke paralajmëruar se grupi duhet të respektojë angazhimet e tij për t’u çarmatosur në Gaza ose përndryshe do të përballet me një operacion ushtarak izraelit për të “përfunduar punën”, raporton Fox News.
Kushner, i cili u takua me liderët e Hamasit në Kajro, tha se grupi riafirmoi angazhimin e tij ndaj planit të paqes prej 20 pikash të Trump dhe ndaj udhërrëfyesit prej 15 pikësh, ku ata zotohen të heqin dorë nga armët.
“Nëse nuk e zbatojnë tani angazhimin e tyre, të gjithë do të shohin se nuk janë të sinqertë për paqen, dhe atëherë Izraeli do të ketë shumë më tepër mbështetje nga SHBA-të dhe të tjerët për të shkuar dhe për ta përfunduar punën në mënyrën e duhur.”
Paralajmërimi i Kushner pasoi takimin e rrallë ballë për ballë të tij me liderët e Hamasit në Kajro.
“Ata thanë të gjitha gjërat e duhura, por padyshim, është shumë, shumë e vështirë t’i besosh, e dini, një organizate terroriste që kreu këto mizori të tmerrshme. Por patëm një takim shumë të përzemërt, dhe ata thanë të gjitha gjërat e duhura, kështu që do t’u japim atyre një shans për të vepruar. Do të duhet të bazohet në veprime dhe hapa, dhe shpresoj se do të jetë e vërtetë.”
Kushner shprehu optimizëm pas një takimi katër-orësh me zyrtarët izraelitë dhe theksoi se mbështetja e Uashingtonit për rindërtimin e Gazës mbetet e lidhur me demilitarizimin.
“Ne nuk do të lejojmë që Gaza të rindërtohet derisa të ndodhë demilitarizimi. Gjithashtu, nuk do të kufizojmë të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten nëse ka ndonjë kërcënim të menjëhershëm. Dhe kështu na u desh të sqaronim se çfarë do të thotë kjo.”
Duke përcaktuar një afat kohor të qartë, Kushner theksoi urgjencën për çarmatimin e Hamasit, duke nënvizuar se pritet të shihet përparim brenda vetëm 30 ditësh. I dërguari amerikan shprehu shpresën se Hamasi do të fillojë të heqë dorë nga armët dhe të dorëzojë edhe disa nga tunelet në 60 deri në 90 ditët e ardhshme. Kushner tha se njerëzit në rajon janë të lodhur nga lufta dhe se janë gati për diçka të re.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
