Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rikthejë në detyrë zv.kryeministren njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Me shumicë votash mbledhja e gjyqtarëve ka vendosur të ngrijë vendimin e “pezullimit të ushtrimit të një detyre” të ndërmarrë nga Gjykata e Posaçme në datën 20 nëntor.

“Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.”

Dhe Gjykata Kushtetuese nuk humbi kohë. Në mbrëmje vendimi i pezullimit i ndërmarre në votimin me shumicë pesë me tre në mbledhjen e gjyqtarëve u publikua në Fletoren Zyrtare. Në këtë mënyrë, kjo gjykatë pranoi të shqyrtojë kërkesën e kryeministrit Rama për të zgjidhur mosmarrëveshjet e kompentencave mes ekzekutivit dhe prokurorisë dhe gjykatën e posaçme.

Kushtetuesja do ta shqyrtojë në themel në seancë publike këtë çështje në datën 22 janar në orën 10.00, ndërsa si palë në këtë proces, veç kryeministrit që ka bërë ankimimin do të thirren në cilësinë e subjekteve të interesuara përfaqësues të SPAK, Gjykatës së Posaçme, Kuvendit dhe presidentit të Republikës.

Kryeministri Rama, në ankimimin e tij e cilëson si antikushtetuese masën e pezullimit për një ministër nga gjykata. Sipas kreut të qeverisë  ky vendim i kërkuar nga prokuroria dhe pranuar nga gjykata cenon garancinë e imunitetit të anëtarëve të Këshillit të Ministrave, të cilën në ankim thuhet se gëzojnë imunitetin e një deputeti, ndaj të cilit në Kodin e Procedurës Penale specifikohet që nuk mund te ndërmerret masa e pezullimit të ushtrimit të detyrës.

Tv Klan

/tvklan.al