Gjykata Kushtetuese ka pezulluar sot, 9 tetor, dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë.

Gjykata ka vendosur njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në bashkinë Tiranë.


VENDIMI I PLOTË

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 09.10.2025 pasi mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt: “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës.

Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës,

Vendosi: Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.


Polemikat kanë qenë të shumta për bashkinë më të madhe në vend, pas shkarkimit të Veliajt, më 25 shtator 2025.

Ai e ankimoi vendimin e Këshillit të Ministrave, duke e cilësuar të paligjshëm dhe antikushtetues. Argumentoi se neni 62, të cilit iu referuan në propozimin për shkarkimin e tij, se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës.

Sipas ish-kryebashkiakut ai nen përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave mund të bëhet vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.

Pavarësisht se Veliaj bëri ankimimin në Kushtetuese, Presidenti doli me dekret për gjashtë bashkitë, përfshirë Tiranën, si më poshtë:

Tanimë, pritet të shohim çfarë do të ndodhë në seancën gjyqësore në fund të muajit, 9 ditë para datës zyrtare për pesë bashkitë e tjera.