Vendimi i SPAK, dy shkallëve të Gjykatës së Posaçme dhe Gjykatës së Lartë për të mbajtur liderin e opozitës, Sali Berisha, në arrest shtëpie për 1 vit është antikushtetues. Në këtë përfundim ka arritur Gjykata Kushtetuese, e cila ka zbardhur këtë të martë vendimin e saj, duke i dhënë një kthesë historike procesit ndaj ish-kryeministrit Berisha.
“Gjykata Kushtetuese vendosi: Pranimin e pjesshëm të kërkesës. Deklarimin si antikushtetues të vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”.
Trupa gjykuese, e kryesuar nga Marsida Xhaferllari, ka arritur në përfundimin se kufizimi i lirisë duhet të ishte në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë dhe se të trija gjykatat kanë vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, duke e mbajtur në arrest shtëpie Berishën për një kohë të tejzgjatur, pas masës së parë të marrë ndaj tij, që tejkalonte nevojat reale të procesit.
“Në fund të fundit, siç parashikon fjalia e fundit e nenit 17, pika 1, e Kushtetutës, ‘kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë’. Justifikimi që ka shërbyer për rëndimin e masës së sigurimit ndaj kërkuesit nuk i përshtatej izolimit më shumë se 7-mujor në shtëpi të kërkuesit, për sa kohë që, sipas vlerësimit fillestar të gjykatave, një masë sigurimi më e lehtë e përmbushte të njëjtën nevojë sigurimi: garantimin e marrjes ose të vërtetësisë së provave”.
Edhe pse brenda trupës së Gjykatës Kushtetuese pati dallime në arsyetimin ligjor, shumica dërrmuese ra dakord se izolimi i Berishës ishte i pajustifikuar në kohë dhe në ashpërsi. Berisha u përfaqësua nga avokatja Klodiana Gjyzari, ndërsa Prokuroria e Posaçme nga prokurori Arben Kraja.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka efekt mbi lirimin fizik të Berishës, pasi lideri i opozitës doli nga arresti shtëpiak në maj të vitit 2025, por ai mund të sjellë pasoja juridike dhe morale që prekin të ardhmen e procesit ndaj tij në dosjen “Partizani”, si dhe mund të ndikojë në heqjen e masës së detyrimit të paraqitjes, me argumentin se i gjithë zinxhiri i vendimeve ka qenë i infektuar nga antikushtetueshmëria.
Nga ana tjetër, ky vendim është një goditje e fortë në themelin e vendimmarrjes së SPAK, GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, pasi Kushtetuesja thekson se këto gjykata kanë përdorur një çekiç shumë të rëndë për një gozhdë të vogël.
Ai vendos një kufi për prokurorinë dhe gjykatat, duke treguar se drejtësia nuk mund të mbajë më dikë në arrest shtëpie për një kohë të gjatë vetëm me arsyetimin e garantimit të provave, për aq kohë sa provat mund të mbrohen edhe me masa më të lehta.
Në rrafshin ligjor, mbrojtja e Berishës mund ta përdorë vendimin e Gjykatës Kushtetuese se SPAK dhe GJKKO kanë shkelur Kushtetutën, për të argumentuar se të gjitha veprimet e prokurorisë kanë qenë të njëanshme dhe jashtë kornizës ligjore.
Në rrafshin politik, ky vendim i shërben qëndrimit të Berishës se ai ka qenë një i burgosur politik, pasi fakti që Gjykata Kushtetuese thotë se izolimi i tij ishte joproporcional, e kthen atë në një fitues moral përballë institucioneve të reja të drejtësisë, duke i dhënë atij argumenta për të sulmuar integritetin e provave dhe legjitimitetin e prokurorëve.
Në fund, Berisha fiton edhe të drejtën ligjore për të kërkuar dëmshpërblim nga shteti për burgim të padrejtë për çdo ditë që ka qëndruar në arrest shtëpie, një faturë kjo që do të paguhet nga buxheti i shtetit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 