Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot, 2 mars 2026, në seancë plenare për të diskutuar lidhur me çështje të evidentuara gjatë takimeve të deputetëve me zgjedhësit, në zona elektorale.
Gjatë kësaj seance, deputetët diskutuan problematikat e evidentuara nga takimet në zonat e tyre elektorale, lidhur me inputet bujqësore, sistemin shëndetësor, investimet në infrastrukturë, sigurinë publike, etj.
Po ashtu, çështje të tjera qe u ngritën ishin indeksimi i pagave për punonjësit e sistemit arsimor, skema e kompensimit të pensionistëve, si dhe problematika e shembjes së rrugës në aksin Librazhd-Përrenjas ditët e fundit.
Diskutimet plenare në kuadër të “Javës së Gjelbër” zhvillohen një herë në muaj, në javën e fundit të çdo muaji. Seanca i mbylli punimet rreth orës 20:30.
Diskutimet u ndanë në mënyrë të barabartë mes shumicës dhe pakicës parlamentare, duke marrë në konsideratë edhe deputetët jashtë grupeve parlamentare.
Si u nda minutazhi mes grupeve parlamentare?
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste – 142 minuta
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike – 60 minuta
Grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim” – 12 minuta
Grupi parlamentar “Partia e Lirisë” – 12 minuta
Deputetët jashtë grupeve parlamentare – 16 minuta gjithsej
Deputetët jashtë grupeve parlamentare kishin nga 2 minuta secili për diskutim: Agron Shehaj, Ana Dajko, Besnik Brahimi, Erald Kapri, Mesila Doda, Redi Muçi, Shkurt Lasku dhe Tedi Mula.
Balla e quan Berishën “ajatollahu i fundit në Europë”
Në fjalën e tij nga foltorja, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ritheksoi mbështetjen e vendit tonë ndaj operacionit të koordinuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit.
“Qeveria shqiptare e ka bërë të qartë mbështetjen e Shqipërisë ndaj ndërhyrjes së SHBA-ve dhe Izraelit në një sulm parandalues ndaj Iranit dhe po ashtu, kryeministri Edi Rama, ka shprehur solidaritetin e plotë të Shqipërisë me vendet në Gjirin Persik që janë kthyer në target të regjimit në shkatërrim e sipër në Iran. Kryeministri ka biseduar sot me presidentin e Emirateve të Bashkuaara Arabe. E po ashtu ka shprehur solidaritet me popuj vëllezër të Katarit, Emirateve, Bahrein-it. Ka pasur sulme edhe në Qipro, e mirëpresim propozimin tuja për të pasur një qëndrim si Kuvend.”
Më tej, duke e cilësuar “ajatollahu i fundit në Europë”, dënoi veprimet e kryedemokratit, Sali Berisha, dhe mbështetësve të tij në protestën e 28 shkurtit.
“Ndërkohë që SHBA-të dhe Izraeli godisnin objektivat në Iran, ajatollahu i fundit në Europë, Sali Berisha, ju urdhëronte ju dhe ata që ju vijnë nga mbrapa, të sulmonin godina. Në atë godinë vetëm Saliu ka qenë brenda, ne as s’e kemi pasur ëndërr të hynim në atë godinë. I vetmi që është ngrohur pranë zjarrit bubulak të familjes së ish-diktaroit është ajatollahu juaj”, deklaroi Balla, duke iu drejtuar opozitarëve.
“Nuk ka vend në botë ku protestat e dhunshme udhëhiqen nga një parti politike!”, tha ai.
Sqaroi edhe atë që po ndodh me aksin rrugor Librazhd-Prrenjas.
“Përtej gjithë thashethemnajës, shpifjeve, ai është një rast që është e qartë se kemi të bëjmë me një fatkeqësi natyrore. Edhe 30 vjet më parë, kur një kompani greke po ndërtonte urën në atë vend, ka pasur rrëshqitje. Është fakt, të paktën se jam banor i Librazhdit dhe e di fare mirë. Përdorimi i një fatkeqësie natyrore për qëllime politike është mungesë largpamësie, por lajmi i mirë është se prej nesër në orën 12:00 rifillon qarkullimi.”
Në kundërpërgjigjen e tij, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi tha se “opozita distancohet nga dhuna e korrupsionit apo lidhja me krimin e organizuar”.
Sa i takon sulmit ndaj vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, ai u shpreh njëjtë si Berisha se “u desh protesta e së shtunës, që të merrej vesh që një pronë publike i ka kaluar për menaxhim një fondacioni francez”.
Sa i takon bllokimit të juglindjes, pati një replikë mes deputetes demokrate Ledina Alolli dhe kryeparlamentarit Niko Peleshi.
“Rrugët as nuk ndërtohen dhe as nuk riparohen me fjalime këtu. Rruga alternative do të hapet dhe do tejkalojë një ngjarje që as nuk varet nga fjalimet e recitimet tuaja e as nga të miat”, u shpreh Peleshi.












Botërori 2026 
