E vetmja gjë ndryshe e seancës së 30-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ishte nderimi me 1 minutë heshtje në nisje për ish-Kryeministrin Bujar Bukoshi, i ndarë nga jeta një ditë më parë.
Më pas u përsërit i njëjti skenar, ku Vetëvendosje kërkoi votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit, por nuk i plotësoi dot votat për shkak të kundërshtimit të partive të opozitës.
Për këtë Vetëvendosje bën përgjegjëse opozitën, ndërsa kjo e fundit partinë e Albin Kurtit.
“Mjerisht, deputetët opozitarë vijnë këtu me qëllimin e vetëm që të bllokojnë konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që të bllokojnë edhe formimin e qeverisë”, thotë deputeti i VV, Armend Muja.
“VV-ja nuk ka shumicën dhe është duke kërkuar që t’ia imponojë vullnetin të zgjedhurve të popullit tonë”, shprehet kryetari i PDK, Memli Krasniqi.
Në këtë situatë LDK lajmëron se do të prezantojë të enjten një plan prej 15 pikash për krijimin e një qeverie tranzicioni.
“Partia e parë nuk sheh ndonjë urgjencë, sepse ka qëllim final që të mos e lëshoj as ekzekutivin. Ata po arrijnë që të marrin vendime antikushtetuse dhe antiligjore”, thotë deputetja e LDK, Jehona Lushaku-Sadriu.
Seanca e radhës do të jetë pas 2 ditësh.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 