Parlamenti shqiptar doli me një deklaratë unanime, ku shprehet indinjata dhe mosdakordësia e plotë me vendimin e Gjykatës së Hagës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilin e cilëson të padrejtë. Deklarata e hartuar nga anëtarët e të dy kaheve në Komisionin e Jashtëm u lexua nga kryetari i Kuvendit.
“Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe genocidit të kryer nga regjimi i Slobodan Milosheviçit.
Pa luftën dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit gjakatar serb, historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të kuptohet. UÇK-ja ishte forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës dhe e rrugës që çoi drejt çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së saj. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga lufta për çlirim dhe nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së saj.
Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së.”
Në deklaratë shprehet shqetësim për standardet e dyfishta në trajtimin e së kaluarës së përgjakshme të rajonit, duke iu referuar kriminelëve serbë të luftës.
“Nderimet publike dhe shtetërore që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte, si edhe glorifikimi i figurave të lidhura me gjenocidin dhe spastrimin etnik, përfshirë Ratko Mladiçin, cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat europiane.
Kuvendi qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht këtë proces, për të relativizuar krimet e regjimit të Miloševićit dhe për të delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.
E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.”
Ndërkohë, Kuvendi, përmes kësaj rezolute, angazhohet për të denoncuar krimet e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit në Kosovë dhe për të koordinuar veprimet me Kuvendin e Kosovës, si dhe i bën thirrje të dyja Qeverive që gjithashtu të koordinojnë veprimet për korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale.
Por, pavarësisht se deklarata u përshëndet dhe mori duartrokitjet e të gjithë deputetëve në sallë, kur morën fjalën demokratët dhe socialistët, sërish drejtuan gishtin tek kundërshtarët, për t’i fajësuar se punuan kundër interesave të Kosovës dhe UÇK-së kur kishin pushtet.
Por, për demokratët, deklarata nuk mjafton. Parlamenti duhet të miratojë rezolutën e hartuar prej tyre, ku dënohet gjenocidi serb në Kosovë.
Berisha gjatë paradites e akuzoi kryeministrin Rama si përgjegjësin kryesor për dënimin e 4 ish-udhëheqësve të UÇK-së dje në Hagë, akuzë së cilës iu dha përgjigje nga Taulant Balla gjatë pasdites.
“Ai Padrinoja juaj, pas kësaj që ndodhi në Hagë, në qoftë se ka njeri më përgjegjës direkt për atë që ndodhi, është Aleksandër Vuçiç dhe argati i tij Edi Rama. Ku e keni tani, e keni parë të çelë ndonjë gojë, më thoni pak çfarë tha ai? Thuaj çfarë fjalë ka shqiptuar? Apo ai ministri i tij?”
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
