Parlamenti e cilëson Këshillin e Lartë të Prokurorisë si hallkën më të dobët të gjithë arkitekturës së re të drejtësisë. Madje, për kryetarin e Komisionit për Nismat Qytetare, nëse bëhej një vlerësim për punën e anëtarëve të këtij Këshilli, nota do të ishte jo kaluese.

“Keni qenë të paaftë të bëni llogari të kësaj natyre apo ka një lloj papërgjegjshmërie? Vitin e kaluar i keni kërkuar Shkollës së Magjistraturës vetëm 12 prokurorë, ndërkohë që keni mbi 100 vakanca, keni disa vakanca të fshehura. Unë kam vite që e trajtoj këtë gjë. Nuk kërkoni shtim të prokurorëve përmes Shkollës së Magjistraturës, as shtim të numrit të përgjithshëm. Si do ta zgjidhim?

Keni nevojë për shtesa? Jo për të bërë qokë, për të marrë shokët e miqtë, burrat, gratë, fëmijët e prokurorëve, gjyqtarëve apo politikanëve? Ju dhe disa institucione të tjera e keni bërë si vend ku bashkohen fëmijët e prokurorëve dhe gjyqtarëve.”

Rezerva për këtë strukturë shprehu edhe Prokurori i Përgjithshëm, i cili po ashtu ishte përpara Komisionit për projektrezolutën e punës së bërë vitin e shkuar nga institucioni që drejton.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë po ashtu u vendos përballë vërejtjeve të ligjvënësve për mungesën e inspektimeve dhe ndaj anëtarëve të KLP-së, por ai lajmëroi përfundimin e raportit të inspektimit për njërin prej tyre.

Prokurori i Përgjithshëm deklaroi gjithashtu se ka dështuar procesi i vlerësimit të performancës për prokurorët, ndaj kërkon gjetjen e një instrumenti ligjor.

Tv Klan

/tvklan.al