Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.
Me 82 vota kundër të maxhorancës socialiste dhe 47 pro të deputetëve të opozitës u rrëzua kërkesa për ndryshimin e masave të mëparshme, dhënë nga Gjykata e Posaçme, ajo e pezullimit nga funksionet qeveritare dhe ndalimit të udhëtimit jashtë vendit.
Në raportin e tyre të lexuar nga Oerd Bylykbashi, demokratët kërkuan të mos pengohej drejtësia. Ky votim, për opozitën, përbën provë se socialistët po pengojnë edhe procesin e integrimit.
Ulsi Manja, që u sugjeroi kolegëve ta rrëzonin kërkesën e SPAK-ut, u kujtoi demokratëve standardin e treguar me kërkesën e SPAK-ut për Berishën në vitin 2023.
Sipas relatorit socialist të Këshillit të Mandateve, për vepra si ajo e prishjes së barazisë në tendera, hetimi në gjendje të lirë është standard i vendosur nga vetë Prokuroria e Posaçme në këto vite, çka nuk pengon drejtësinë të vijojë hetimet.
I pranishëm në Parlament ishte edhe kryeministri, i cili e la sallën kur po lexohej raporti i demokratëve dhe u rikthye më pas për të dëgjuar Ulsi Manjen dhe për të votuar ashtu siç sugjerohej në raportin e socialistëve.
Deputetët e opozitës, në mënyrë demonstrative, nisën goditjen e tavolinave, bllokuan foltoren dhe penguan vijimin e mëtejshëm të seancës plenare.
Me propozimin e socialistëve u kalua direkt në votimin e çështjeve të tjera në rendin e ditës dhe seanca u mbyll në pak minuta.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 