Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë te martën e 17 marsit një rezolutë “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”. Lajmi u konfirmua nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në rrjetet sociale, që njoftoi se rezoluta është urgjente.
Për këtë arsye, mëngjesin e se martës pritet që detajet për projekt-rezolutën të paraqiten në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila do ta fusë nismën në rendin e ditës.
Më pas do të jetë Komisioni Parlamentar për Punët e Jashtme, që do të japë miratimin e tij për t’ia kaluar atë seancës plenare që është thirrur në orën 10.
Nisma u paralajmërua nga kryeministri Rama ndërsa në projektrezolutën e siguruar nga Tv Klan, theksohet se Kuvendi i dënon ashper veprimet që Republika Islamike e Iranit, përmes institucioneve të saj shtetërore, përfshirë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) dhe strukturat e lidhura me të, ka mbështetur dhe koordinuar aktivitete që destabilizojnë vende në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
REZOLUTA E KUVENDIT
Dënon me termat më të ashpër veprimet e Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës si dhe shpreh solidaritetin e plotë me vendet mike të Gjirit Persik dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestuar nga aktiviteti terrorist i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës Islamike të Iranit.
Gjithashtu në këtë rezolutë, Irani shpallet si shtet terrorist, ndërsa i kërkohet Kuvendit të shpallë Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme.
I bën thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që :
– të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste,
– të shpallë gjithashtu Hezbollahun si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit, duke iu bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Holandës dhe një numri shtetesh anëtare të BE-së si dhe vende të tjera, të cilat e kanë ndërmarrë më parë këtë përcaktim.
Drafti përmend edhe sulmet kibernetike me të cilat u përball Shqipëria në vitin 2022, por edhe përpjekjet e ditëve të fundit ndaj sistemeve të Kuvendit të Shqipërisë.
Seanca e së martës ka shkaktuar edhe përplasje mes palëve, pasi deputetët e PD-së deklaruan bojktotin e séances, pasi thanë se ajo nuk ka rend dite dhe po përdoret si fasadë nga qeveria. Në krahun tjetër, Balla shprehu keqardhje dhe ftoi opozitën të reflektojë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 