Vetëm 30 kilometra larg nga qyteti i Shkodrës, ndodhet  plazhi i Velipojës.

Nga më të mëdhenjtë në bregdetin e Adriatikut, me një gjatësi prej 14 kilometrash ai frekuentohet kryesisht nga turistët Kosovarë, për shkak edhe të afërsisë gjeografike.

“Uji është shumë i mirë, për rërë mos të flasim fare. Kjo rërë është ar, por si duket ende nuk po ia dini vlerën”, thotë një Turist nga Kosova.

Thellësia e vogël e detit në brigjet pranë plazhit e bën atë të përshtatshëm për fëmijët e vegjël.

“Plazhi më perfekt për fëmijët të paktën. Ndoshta jugu mund të jetë më i bukur, por nuk është edhe aq i përshtatshëm për fëmijët”, thotë një nënë e re.

Si rrallë në Shqipëri, në plazhin e Velipojës nuk mungojnë vrojtuesit e plazhit, ndërsa kullat janë në një distancë shumë të afërt nga njëra tjetra.

Përveç shezllonave të privatëve, edhe plazhet publikë në Velipojë janë me bollëk.

Të gjitha këto kanë bërë që numri i turistëve të vijë në rritje nga viti në vit.

Për zezonin veror, edhe njësia administrative e Velipojës ka marrë masat e saj.

Për tu ardhur në ndihmë pushuesve shqiptarë dhe të huaj me informacione mbi Velipojën dhe zonat për-rreth është ngritur edhe një infopoint për turistët.

Nëse nuk e keni vendosur ende se ku do ti kaloni pushimet këtë verë, Velipoja mund të jetë një nga destinacionet më të përshtatshme për ju.

Klan Plus