3 nëntor 2026 – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar vizitën e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, te kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, si dhe marrëdhëniet e këtij të fundit me kryeministrin Edi Rama.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha e cilësoi Veliajn si një person që ka dëmtuar qytetarët e Tiranës, por theksoi se, pavarësisht akuzave, atij duhet t’i garantohen të drejtat themelore.
Sipas kreut të PD-së, vizita e ministrit Gogu në qeli përbën një shkelje flagrante, pasi, sipas tij, përveç bashkëshortes dhe avokatit, askush tjetër nuk duhet të takohet me një person të paraburgosur pa lejen e prokurorit.
Berisha e krahasoi vizitën me një episod të periudhës së diktaturës, duke përmendur dërgimin e Hekuran Isait te Kadri Hazbiu, kur ky i fundit ndodhej në burg. Ai e cilësoi ndërhyrjen e Gogut si një akt të rëndë, duke përdorur edhe metaforën e hedhjes së vajit të nxehtë në vesh.
Berisha: Tani, do të them për Erion Veliajn, është një njeri i zi, që ka vjedhur qytetarët e Tiranës sa askush tjetër. Por, të theksojmë këtë: çdo njeri, çdo qenie njerëzore, kudo që ndodhet, ka disa të drejta që kurrë s’duhet t’ia cenosh. S’mund t’i shkojë kurrë, pa lejen e prokurorit, njeri tjetër përveç bashkëshortes dhe avokatit të tij. Është një shkelje flagrante.
Blendi, kam lexuar, një mik më çonte mbrëmë një mesazh dhe më thoshte: Doktor, Enver Hoxha çonte Hekuran Isain tek Kadri Hazbiu në burg. “Hekuran Isai”, thotë, “shkoi në protokoll, u regjistrua, mori oficerin dhe u ngjit sipër”.
Fevziu: Tani, mos e bëj Toni Gogun të barabartë me Kadriun, me Hekuran Isain…
Berisha: Më keq, por çfarë pastori, ai s’ka fe. Ai s’ka Bibël e s’ka Kuran, ai që e bën atë. Mos e pyet çfarë është ai. Dhe i thotë: “Kadri”, thotë, “më çoi komandanti, prano që ke, prano që keni dashur të ekzekutoni komandantin që t’i falë jetën”. Kadriu, Kadriu, në ato nuancat e tij, e dinte që jetën s’ia falnin, po e pushkatojnë, thotë: “Jo”, thotë, “nuk e pranoj”. Tani, kjo që më ka kujtuar kjo, aktet më makbethiane. Është njësoj sikur të shkosh t’i hedhësh vaj të nxehtë në vesh në gjumë. Ai në qeli atje, ti i shkon e i thua: “Do të kalbesh 100 vite në burg, në qoftë se nuk dorëzon një hajdut që është shumë problematik, një Arbër Hajdari që s’punon fare në bashki”.
/tvklan.al












Botërori 2026 