Prodhimi i regjisorit Roland Sejko rrëfen historinë e kameramanit që mbeti “peng” në Shqipëri

Regjisori shqiptar, Roland Sejko, me filmin e tij të fundit “La macchina delle immagini di Alfredo C.” mori pjesë në “Orizzonti Extra”, një nga seksionet konkurruese të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, i cili u mbajt nga 1 deri më 11 Shtator 2021.

Filmi “Macchina delle Immagini di Alfredo C.”, ka në qendër historinë e një telekameramani italian që mbërrin në Shqipëri me pushtimin fashist e mbahet “peng” bashkë me 27 italianë të tjerë, ushtarë e civilë, pas çlirimit të Shqipërisë kur regjimi i Enver Hoxhës mbylli kufijtë. Kështu Alfredo C., që për thuajse 20 vjet kishte punuar në shërbim të propagandës së regjimit fashist, për pesë vjet i bie vendit tonë kryq e tërthor e detyrohet të ushtrojë profesionin e tij, këtë radhë në favor të propagandës së regjimit komunist të ardhur në fuqi në Shqipëri.

Sejko, prej vitit 1995 punon në Institutin Luce ku sot është drejtor editorial i Arkivit Historik Luce. Njohës i mirë e përdorues mjeshtëror i arkivave, ka shkruar e realizuar dokumentarë ndryshëm që shpesh kanë patur në qendër aspekte të ndryshme të marrëdhënieve Itali-Shqipëri. Ndër filmat e tij dokumentarë spikasin “Anija”, dokumentari i realizuar në 20-vjetorin e eksodit të madh të shqiptarëve në Itali, që është vlerësuar me çmimin prestigjioz “David di Donatello 2013”, si dokumentari më i mirë i vitit.

“Pritja” (2015), dokumentar i frymëzuar nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri që rrëfen mohimin e lirisë së besimit, persekutimin e autoriteteve fetare, shkatërrimin e simboleve të kulteve fetare në Shqipërinë e diktaturës komuniste;.

“Shqipëria, Vendi përballë” (2010), që përmes imazheve të arkivave të Institutit Luce dhe të arkivave të filmit shqiptar, sjell historinë e Shqipërisë, të lidhur ngushtë me Italinë. 

Klan News