Angazhimi i bashkëmenaxherit të fushatës elektorale të Presidentit Trump, Chris LaCivita në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e gazetarëve të New York Times.
Ata raportojnë se strategu i Donald Trump po këshillon drejt fitores se zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit Partinë Demokratike, një parti opozitare konservatore shqiptare me në krye Sali Berishën.
Në komunikimet me gazetën e mirënjohur amerikane, zoti LaCivita e karakterizoi punën e tij si një vijimësi të asaj që ai bëri për ta ndihmuar Presidentin Trump drejt fitores.
“Unë po eksportoj atje idetë e fushatës së MAGA-s, pra ta bëjmë Shqipërinë të Madhe përsëri! Është në përputhje të natyrshme me idetë tona sesi të mundim një socialist në pushtet në Shqipëri që është një peng dhe kukull e familjes Soros”.
Z. LaCivita argumenton se shpallja non grata e zotit Berisha nga ish-administrata e Biden ishte e motivuar politikisht.
Ai mendon se përvoja e këtij politikani shqiptar përafrohet me atë të zotit Trump. LaCivita, mendon se pas sanksioneve dhe pretendimeve te pabazuara ndaj zotit Berisha qëndron megadonori i të majtëve amerikanë George Soros.
Zoti LaCivita, i cili doli këtë muaj me zotin Berisha në një konferencë shtypi në Shqipëri, tha se nuk do t’i drejtohej administratës Trump në emër të zotit Berisha apo partisë së tij.
“Unë nuk loboj. Unë bëj fushata, dhe kjo është ajo që po bëj, shumë e drejtpërdrejtë”.
Z. LaCivita nuk i ka konfirmuar gazetës amerikane faktin nëse konsulentë të tjerë janë të përfshirë në fushatën elektorale në Shqipëri.
Klan News