“Me Serbinë, marrëveshje gjithëpërfshirëse”

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas qëndrimit treditësh u largua nga Kosova me bindjen e plotë se janë siguruar kushtet për rifillim të dialogut Prishtinë-Beograd. Në një konferencë për media në përmbyllje të vizitës së tij, ai ka thënë se do të angazhohet që ky dialog të rifillojë së shpejti, por nuk përmendi data, duke thënë se ato do të publikohen pas vizitës së tij në Beograd.

“Jam i gatshëm dhe i përkushtuar të angazhohem plotësisht që të rifillojmë me dialogun pa vonesa të mëtejme dhe që të ndihmojmë palët të punojnë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila do të normalizojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të jetë e pranueshme për të gjitha palët”.

Ndërkohë në Washington, më 27 Qershor janë ftuar pala kosovare dhe ajo serbe që të takohen për të rinisur dialogu. Duke mos dashur të komentojë qëllimin e këtij takimi Lajçak tha se SHBA-ja është partnere strategjike e BE-së dhe se në Kosovë nuk ka ardhur për të zgjedhur partner se kush duhet të negociojë. Megjithatë sipas tij, Kosova ka të ardhme evropiane.

“Siç e thashë nuk komentoj për aktivitetet e të tjerëve dhe kurrë nuk spekuloj për të tjerët. Bashkimi Evropian nuk mund të lihet anash, pasi e ardhmja është evropiane. Askush nuk mund të lë anash të ardhmen evropiane përveç nëse ju doni të lini anash të ardhmen evropiane”.

Lajçak javën e ardhshme pritet të vizitojë Beogradin. Ndërkohë gjatë ditës, Kryeministri Avdullah Hoti ka pritur përfaqësues të partive politike ku i ka njoftuar me platformën e qeverisë për dialogun, si dhe takimin e Washingtonit. Takimet i kanë bojkotuar partitë opozitare LVV dhe PDK.

Tv Klan