Lajme, #edicioniinformativ ora 23:00, 2 Nëntor 2026 #TvKlan #klanlajme

Spiker: Redi Prifti

Headlines

“Pasqyra Albania”, Rama: Administrata do shohë veten. Ballafaqim edhe për gjysmë të vërtetat
Në prezantimin e “Pasqyra Albania”, kryeministri Edi Rama tha se synohet që asnjë problem i qytetarëve të mos humbasë nëpër sirtarët e burokracisë. Sipas Ramës, me këtë platformë do të ballafaqohen edhe gjysmë të vërtetat që qarkullojnë.

6 të arrestuar pas protestës së të shtunës. Rama përsërit ftesën për dialog me qytetarët
Sot protesta e studentëve u mbajt e qetë. Ndërsa 6 persona u arrestuan nga policia pas protestës së të shtunës në kryeqytet dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Mes të arrestuarve janë një shtetas i huaj dhe 2 të mitur, të cilët kishin molotovë me vete. Rama përsërit ftesën për dialog.

Incidentet në protestë, Berisha: Provokatorë të Ramës. Opozita mbështet kauzat e studentëve
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, thotë se përplasjet dhe incidentet në protestën e një dite më parë u nxitën nga provokatorë të Ramës. Berisha u shpreh se opozita mbështet protestat e studentëve dhe se nuk do të ketë asnjë dialog me qeverinë.

Tragjedi në Gjilan, gjyshi vret të birin dhe nipin 3-muajsh. Arrestohet 65-vjeçari
Tragjedi brenda një familjeje në Gjilan të Kosovës. Një 65-vjeçar u arrestua nga policia, pasi dyshohet se ka vrarë të birin dhe nipin e tij 3-muajsh brenda një banese. Për autoritetet hetimore mbeten ende mister motivet e këtij krimi të rëndë.

Apartamentet me qira duhet të regjistrohen në e-Albania. Gjoba deri në 100 mijë lekë për shkelësit
Çdo apartament apo njësi akomoduese që jepet me qira afatshkurtër do të duhet të regjistrohet detyrimisht në portalin e-Albania dhe të pajiset me një kod unik identifikimi. Për shkelësit do të ketë sanksione financiare deri në 100 mijë lekë.

BB: Shqipëria, ndër më të rrezikuarat nga ndryshimet klimatike. Preket 25% e popullsisë
Banka Botërore e rendit Shqipërinë, Moldavinë dhe Bosnjë-Hercegovinën ndër vendet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike. Sipas raportit, rreth 25% e popullsisë shqiptare është e ekspozuar ndaj rreziqeve që prekin bujqësinë dhe energjinë.

/tvklan.al