Lajme, #edicioniinformativ ora 19:30, 15 Korrik 2026 #TvKlan #klanlajme

Spiker: Reis Çiço

Headlines

Sonte në TV Klan sfida mes Anglisë dhe Argjentinës. Spanja pret finalisten
Sonte, Anglia sfidon Argjentinën, kampionen në fuqi të botës, për të përcaktuar se cila do të jetë finalistja e dytë e Kupës së Botës. Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt dhe pa pagesë në TV Klan. Spanja mundi Francën dhe siguroi, pas 16 vitesh pritje, një vend në finalen që do të luhet më 19 korrik.

Përfundon amnistia penale, lënë qelinë 553 persona. 863 të tjerë përfituan ulje të dënimit
Përfundoi brenda pak orësh zbatimi i amnistisë penale. Prej saj siguruan lirim të menjëhershëm nga burgu 553 persona, ndërsa 863 të burgosur të tjerë përfituan ulje të masës së dënimit. Nga amnistia u përjashtuan subjektet e SPAK.

Hetimi për tjetërsimin e tokave në Zvërnec. Braho: Kushdo i përfshirë do të mbajë përgjegjësi
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, tha se hetimi për tjetërsimin e pronave në Zvërnec ka nisur para protestave. Ai siguroi deputetët se kushdo që rezulton i përfshirë në këtë çështje do të mbajë përgjegjësi penale.

I nxehti afrikan përfshin vendin. Temperaturat do të shkojnë deri në 41 gradë
I nxehti afrikan ka përfshirë sërish Shqipërinë. Sinoptikanët parashikojnë që kulmi të arrijë të enjten dhe të premten, kur termometri në disa qarqe, si Berat, Elbasan dhe Shkodër, pritet të regjistrojë temperatura deri në 41 gradë.

Trump kërcënon Iranin: Negociata ose bombardojmë urat dhe termocentralet
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë vijuar për të katërtën ditë me radhë shkëmbimin e zjarrit, ndërsa 30 persona raportohen të vrarë. Trump kërcënoi se, nëse Teherani nuk ulet në negociata, objektiv i sulmeve të reja do të jenë urat dhe termocentralet.

/tvklan.al