Lajme, #edicioniinformativ ora 19:30, 16 Prill 2025 #TvKlan #klanlajme
Spiker: Drini Zeqo
Headlines 16 Prill 2025
Inceneratori i Tiranës, 19.5 vite burg për 7 ish-zyrtarë. Dënohet edhe ish-ministri Koka
19.5 vite burg në total dha Gjykata e Posaçme për 7 ish-zyrtarët e akuzuar për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Mes tyre është edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka që u dënua me 3 vite heqje lirie për “Shpërdorim detyre”.
Rama: Rishohim pensionet e fshatit, por jo si opozita me “qilima fluturues”
Kryeministri Rama premton lehtësira për fermerët nuk kanë certifikatë pronësie, por që punojnë tokat e tyre. Ai tha se do të rishikohen edhe pensionet në fshat, por jo me logjikën e opozitës, që sipas tij, premton “qilima fluturues”.
Berisha: Qeveritarëve dhe familjarëve të tyre do u ndalohet me ligj futja në sektorin e turizmit
Në një bashkëbisedim me turoperatorët, kreu i opozitës Sali Berisha premtoi ngritjen e një task force dhe formalizimin e sektorit të turizmit. Ai tha se do të ndalohet me ligj përfshirja e qeveritarëve dhe familjarëve të tyre në këtë sektor.
FMN, kritika për mbivlerësimin e lekut: Luhatjet e kursit mund të rrisin inflacionin
FMN kërkon nga Banka e Shqipërisë të vijojë politikën me normën e interesit për të kontrolluar nënçmimin e euros në raport me lekun. FMN thekson se duhet bërë kujdes me kreditë që jepen për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Greqia zgjeron hapësirën detare. Projekti rrezikon tensione me fqinjët
Qeveria greke shpall hartën e shfrytëzimit të hapësirave detare, duke zgjeruar detin e saj territorial në 12 milje. Plani bie ndesh me interesat e fqinjëve, veçanërisht me Turqinë ku rrezikohet sërish rritja e tensioneve mes dy vendeve anëtare të NATO-s.
Administrata “Trump” shfuqizon “non graten” e parë. Hiqet nga lista shefi i kabinetit të Orban
SHBA heq nga lista e personave “non grata” të parin zyrtar të një vendi partner. Ai është shefi i kabinetit të kryeministrit hungarez Viktor Orban, i futur në këtë listë në janar të këtij viti nga administrata “Bajden” pas akuzave për korrupsion.
Lara Colturi kërkon të largohet nga Shqipëria. 18-vjeçarja: Dua të garoj për Italinë
Lara Kolturi kërkon zyrtarisht që të mos përfaqësojë më Shqipërinë duke zgjedhur që në vijim të garojë për Italinë. Federata nuk i ka dhënë ende një përgjigje. Në rast të mos-dakordësisë, ajo do humbiste Kupën e Botës dhe Olimpiadën.
/tvklan.al