Lajme, #edicioniinformativ ora 19:30, 18 Maj 2025 #TvKlan #klanlajme

Spiker: Reis Çiço

Headline – 18 Maj 2025

Nis më 1 qershor zbatimi i marrëveshjes së pensioneve me Italinë. Përfitojnë 500 mijë shqiptarë dhe 4 mijë italianë

Kryeministri Edi Rama njoftoi se nga data 1 qershor nis zbatimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore me Italinë. Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë dhe afërsisht 4 mijë italianë që jetojnë në Shqipëri.

Vijon numërimi i votave të diasporës. Garë e fortë mes Xhaçkës dhe Gjylametit në Tiranë

Në Parkun Olimpik vijon procesi i numërimit të votave të emigrantëve nga Greqia. Aktualisht po numërohen votat për një qark sa i përket partive politike, ndërsa për kandidatët procesi po vazhdon në shumicën e qarqeve. Në Tiranë, po zhvillohet një garë e fortë mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit.

Familjet shqiptare po shmangin kreditë. BSH: 55% e huave, nga burime joformale

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2024, kreditimi nga bankat ka rënë me 6%. Ndërkohë, 55% e huamarrjes nga familjet shqiptare po realizohet përmes burimeve joformale, duke shmangur institucionet financiare.

Eksperienca, pengesë për punësimin e të rinjve. Ekspertët: Të vlerësohen aftësitë dhe kreativiteti

Megjithëse tregu i punës kërkon gjithnjë e më shumë fuqi punëtore, të rinjtë hasin ende vështirësi për t’u punësuar për shkak të mungesës së eksperiencës. Ekspertët nxisin bizneset që të fokusohen më shumë në vlerësimin e aftësive dhe kreativitetit të tyre.

Inaugurohet Papa Leoni XIV: “Misioni im, dashuria dhe uniteti”. Mbi 200 delegacione pjesëmarrëse në meshë

Në Vatikan u mbajt sot mesha përuruese e pontifikatit të Papa Leonit XIV. Ceremonia u ndoq nga mbi 200 delegacione nga mbarë bota. Ati i Shenjtë deklaroi se misioni i tij gjatë papatit do të jetë dashuria dhe uniteti mes njerëzve.

/tvklan.al