Lajme, #edicioniinformativ ora 19:30, 22 Maj 2025 #TvKlan #klanlajme

Spiker: Drini Zeqo

Headline – 22 maj 2025

Hapet në Bruksel grup-kapitulli i tretë i negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së
U mbajt sot pasdite në Bruksel Konferenca e pestë ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian. Në të u hap grup-kapitulli me numrin 3 i negociatave, i cili lidhet me “Konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse”.

Berisha publikon provat: ka vetëm një zgjidhje, qeveri teknike dhe zgjedhje të reja
Kryetari i Partisë Demokratike ka publikuar të tjera fakte që, sipas tij, faktojnë masakrën elektorale të 11 majit. Ai theksoi se zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë është krijimi i një qeverie teknike dhe shkuarja në zgjedhje të reja.

195 milionë sulme kibernetike ndaj KQZ gjatë zgjedhjeve. Celibashi: pa pasoja
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka zbuluar se sistemet e KQZ-së janë përballur me 195 milionë sulme kibernetike nga jashtë gjatë zgjedhjeve të 11 majit, por pa mundur të sjellin implikime në proces. Ai paralajmëroi masa edhe për DHL-në.

Eurojust: 1800 kg drogë në Evropë prej grupit të goditur nga SPAK e antimafia
Agjencia e BE-së “Eurojust” ka dhënë detaje të tjera nga operacioni kundër trafikut ndërkombëtar të drogës i finalizuar një ditë më parë. Sipas saj, grupi kriminal me qendër në Durrës ka trafikuar drejt Evropës rreth 1.8 tonë kokainë dhe heroinë.

Vrasja e Ermir Dedjas, shpallen në kërkim 2 personat që siguruan makinën për vrasësit
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona në lidhje me ekzekutimin e Ermir Dedjas, dy ditë më parë në Durrës. Ata dyshohet se kanë ndihmuar në sigurimin e automjetit dhe krijimin e logjistikës për realizimin e atentatit.

Shuhet në moshën 58-vjeçare në një spital në Gjermani, publicisti Artan Lame
Shuhet në moshën 58-vjeçare në Gjermani, pas një ndërhyrjeje në zemër, publicisti Artan Lame. Krahas veprimtarisë kërkimore, kryesisht në fushën e kulturës dhe historisë shqiptare, Lame ka mbajtur një sërë funksionesh shtetërore.

Trump, “sherr” me gazetarin e “NBC” për avionin që mori dhuratë nga Katari
Donald Trump u përfshi sërish në debate publike gjatë një takimi në zyrën e tij. Kësaj here ai shpërtheu në sulme dhe fyerje ndaj një gazetari të televizionit amerikan “NBC”, i cili e pyeti për avionin luksoz që ka marrë si dhuratë nga Katari.

/tvklan.al