Lajme, #edicioniinformativ ora 19:30, 27 tetor 2025 #TvKlan #klanlajme

Spiker: Reis Çiço

Headlines

Dumani: Për SPAK nuk ka të paprekshëm, kemi hetuar 71 persona për inceneratorët

Kreu i SPAK, Altin Dumani, thotë se për institucionin që ai drejton nuk ka persona të paprekshëm dhe se për prokurorët nuk kanë rëndësi emrat, por faktet. Gjatë raportimit në Kuvend, ai tha se vetëm për çështjen e inceneratorëve janë hetuar 71 persona.

Kuvendi miraton komisionet për “Zgjedhoren” dhe “Territorialen”

Kuvendi miratoi sot ngritjen e dy komisioneve të posaçme që do të punojnë për reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Partia Socialiste dhe ajo Demokratike bashkuan votat për ngritjen e tyre, ndërsa disa nga partitë e vogla votuan kundër.

Kos: Shqipëria, rast suksesi – negociatat brenda 2027-ës

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, thotë se Shqipëria është një rast suksesi dhe se Brukseli mbështet angazhimin e qeverisë shqiptare për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027.
Spiropali tha se do të bëhet gjithçka për të përmbushur standardet e kërkuara

Rritet interesi i të huajve për të blerë prona në Shqipëri

Çmimet e banesave në vend vijojnë të mbeten të larta. Ekspertët thonë se shkaqet kryesore janë rritja e interesit të të huajve për të blerë prona në Shqipëri dhe hyrja e kapitalit të lidhur me sektorin e turizmit.

Dështimi i qeverisë së re – Kurti: Faji i opozitës, zgjidhje janë vetëm zgjedhjet e reja

Dështimin e krijimit të qeverisë së re të Kosovës, Albin Kurti ia faturon partive të opozitës, LDK-së dhe NISMËS, si dhe kërkesave të tyre për një koalicion të përbashkët.
Ai tha se zgjidhje për situatën mbeten vetëm zgjedhjet e reja.

Trump nuk trembet nga “Burevestnik”: Putin të mos testojë raketa, por të sjellë paqen

Presidenti amerikan Donald Trump nuk u shfaq i shqetësuar nga raketa e prezantuar nga rusët, që pretendohet se mund të godasë çdo cep të territorit të SHBA-së.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se Putin duhet të punojë për paqen, në vend që të testojë raketa.

Juventusi shkarkon trajnerin Igor Tudor – humbja ndaj Lacios rezultoi fatale

Juventusi vendosi sot të shkarkojë trajnerin Igor Tudor për shkak të rezultateve të dobëta në javët e fundit.Bardhezinjtë kanë 8 ndeshje pa fitore, ndërsa në 3 takimet e fundit kanë pësuar vetëm humbje.

/tvklan.al