Lajme, #edicioniinformativ ora 19:30, 28 Prill 2025 #TvKlan #klanlajme

Spiker: Drini Zeqo

Headlines 28 Prill 2025

Kontrata 6 milionë dollarë e PD në SHBA – Rama: në shkelje flagrante me çdo ligj të Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama deklaron se kontrata e lobimit që Partia Demokratike ka lidhur me një kompani amerikane përbën një shkelje flagrante të ligjeve shqiptare. Sipas tij, persona të panjohur kanë paguar 6 milionë dollarë për të hequr “non-gratën” për kreun e PD-së.

Berisha: do kompensojmë biznesin për çdo humbje nga euro – energjia, nga 18 në 6 lekë
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, premton kompensim për bizneset që kanë pësuar humbje nga zhvlerësimi i euros dhe uljen e çmimit të energjisë për sipërmarrjet nga 18 lekë në 6 lekë për kWh.

Vrasja në Vlorë – kamera e kapin autorin, policia ende pa identitet
Detaje të reja nga vrasja në Vlorë: autori është kapur nga disa kamera sigurie, por ende nuk është identifikuar, pasi mbante kapele dhe shall. Bashkëjetuesja e viktimës thotë se nuk kishte dijeni për konflikte të mundshme.

1.560 persona në kërkim ndërkombëtar – pjesa më e madhe fshihen në Angli
Interpol Tirana njofton se 1.560 shtetas shqiptarë janë në kërkim ndërkombëtar. Shumica e tyre dyshohet se strehohen në Britaninë e Madhe. Kjo e rendit Shqipërinë në vendin e 17 në Europë për nga numri i të kërkuarve.

Rekord në kreditë konsumatore – BSH: rritje historike në 2024
Banka e Shqipërisë raporton një rritje rekord të kredive konsumatore në vitin 2024, duke arritur 47.2 miliardë lekë – një rritje prej 25%. Ekspertët e lidhin këtë me besimin në aftësinë e qytetarëve për të përballuar detyrimet financiare.

Urdhër-arrest në Kosovë për Milan Radoiçiç dhe 19 të tjerë – akuzohen për vrasjen e 106 civilëve
Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar një urdhër-arrest të dytë për serbin Milan Radoiçiç, i akuzuar, bashkë me 19 të tjerë, për vrasjen e 106 civilëve shqiptarë në Gjakovë gjatë majit të vitit 1999.

Zgjedhja e papës së ri – Konklava mblidhet më 7 maj, kandidati fitues merr 2/3 e votave
Vatikan – Këshilli i Kardinalëve ka caktuar 7 majin si datën e mbledhjes së Konklavës për zgjedhjen e papës së ri. Kandidati fitues duhet të sigurojë 2/3 e votave të kardinalëve me të drejtë vote.

/tvklan.al