Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, zhvilloi një interpelancë me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, në lidhje me situatën në burgje. Ai hodhi akuza ndaj Lamallarit, duke shtuar se ish-presidentit Ilir Meta i janë shkelur jo vetëm liritë dhe të drejtat, por edhe liria politike, liria e fjalës dhe e mendimit. Po ashtu theksoi se i është ndaluar takimi me deputetët edhe pse me ligj i lejohet diçka të tillë.
“Me pretendimin absurd se nuk ju sigurojmë dot jetën. Kur drejtori nuk ka në kontroll atë që ndodh në burgje, çfarë drejtori është? Zoti Meta ka lindur në mal dhe këtë më mirë se ju e di shefi juaj, Edi Rama”, tha Blushi.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, hodhi poshtë akuzat e Tedi Blushit dhe tha se ndaj ish-presidentit Ilir Meta nuk ka persekutim politik. Ai u shpreh se ndaj tij nuk ka as cënim të lirisë së shprehjes.
“Rezulton se ato nuk qëndrojnë dhe janë të pabazuara. Avokati i Popullit konfirmon të kundërtën. Nuk ka persekutim politik, ndërsa pretendime të tilla janë thjesht të pabazuara dhe nuk kemi cënim të lirisë së shprehjes”, tha Lamallari, sipas të cilit Meta trajtohet si të gjithë të paraburgosurit e tjerë.
Në fjalën e tij gjatë seancës së sotme, Lamallari tha se raporti i Avokatit të Popullit jep rekomandime përgjithësuese dhe nuk është kurrsesi një raport që konstaton shkelje konkrete apo përgjegjësi individuale në rastin e Ilir Metës.
“Perkundrazi raporti në asnjë moment nuk përdor terminologjinë “trajtim degradues apo çnjerëzor”. Rekomandimet e Avokatit të Popullit janë në proces shqyrtimi dhe analize nga strukturat përgjegjëse të sistemit të burgjeve, sipas afateve ligjore. Paralelisht, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kërkuar informacion të detajuar nga IEVP “Jordan Misja” dhe ka forcuar mbikëqyrjen administrative, me fokus parandalimin e çdo praktike që mund të interpretohet si cënim i dinjitetit njerëzor. Ky proces nuk është formal, por substancial, dhe synon përmirësim sistemik, jo reagim për efekt qëllime populiste, por për të sjell një ndryshim për të gjithë të paraburgosurit”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.
Në vijim të fjalës së tij, ministri Lamallari theksoi se “siguria dhe dinjiteti i Metës janë garantuar në vijimësi, në përputhje me ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Ai trajtohet si çdo i paraburgosur tjetër në aspektin e të drejtave dhe detyrimeve”. Lidhur me kërkesat mediatike për intervista, mes të tjerash ministri i Drejtësisë tha se “burgjet nuk janë as foltore parlamentare dhe as studio televizive”.
Lamallari u shpreh se pretendimet për shkelje të të drejtave duhen trajtuar me seriozitet dhe jo mbi narrativa politike.
“Përtej kërkesës legjitime të çdo deputeti për interpelancë me anëtarët e Këshillit të Ministrave unë mendoj se sot më shumë se kurrë është e rëndësishme të ndajmë qartë debatin politik nga e vërteta institucionale. Sistemi penitenciar nuk mund të jenë dhe nuk janë një instrument i betejës politike për interesa të ditës dhe as foltore parlamenti, dhe as studio televizive. Çdo pretendim për shkelje të drejtave të njeriut duhet trajtuar me seriozitet, por edhe me përgjegjësi, mbi fakte konkrete, ligj dhe standarde të verifikueshme. Dhe jo mbi interpretime selektive apo narrativa me natyrë thellësisht dhe qartësisht politike. Ministria e Drejtësisë mbetet e vendosur të garantojë barazi përpara ligjit, pa privilegje dhe pa përjashtime për askënd përfshirë këtu të paraburgosurit dhe të dënuarit duke mbrojtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor, sigurinë publike dhe dinjitetin e institucioneve. Ky është standardi që i detyrohemi qytetarëve shqiptarë dhe ky është angazhimi ynë i përditshëm”, tha Lamallari.
Pas interpelancës, nga qelia e burgut reagoi ish-presidenti Ilir Meta. Ai e quajti ministrin Lamallari, “Diellën” e drejtësisë duke u shprehur se në institucionin “Jordan Misja” ku ai ndodhet vetëm dje kanë ikur dritat 42 orë, uji vjen me orar dhe se qytetarët vdesin për mungesën e trajtimit të duhur shëndetësor.
“E ç’mund të presësh nga “Diellat”? Ato janë pjellë e AKSHI-t, simbolit të korrupsionit skizofrenik. Ndërsa lidhur me respektimin e të drejtave të mia dua t’u kujtoj të gjithë qytetarëve që akoma nuk më kanë dorëzuar të zbardhur, as mua, as avokatit tim, vendimin e 2 korrikut 2025, të dënimit tim të dytë nga IEPV “Jordan Misja” për lirinë e fjalës”, shkroi ai në rrjetet sociale.
/tvklan.al












Botërori 2026 
