Familjarë, miq, të afërm dhe artistë i dhanë këtë të diel lamtumirën e fundit aktorit të mirënjohur Birçe Hasko, i cili u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Homazhet në nderim të aktorit u kryen në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit. Miqtë artistë shprehën mes emocioneve e trishtimit humbjen e madhe për kinematografinë shqiptare.

“Ishte një personalitet me një integritet qytetar dhe njerëzor të pashembullt”, tha aktori Timo Flloko.

“Është një ikje e trishtueshme, një emblemë e kinematografisë. Nuk predikonte, nuk edukonte, udhëhiqte me shembull”, u shpreh regjisori Kiço Londo.

Birçe Hasko ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kinematografi. Do të kujtohet gjithmonë për mjeshtërinë e tij në interpretim, ndërsa ka lënë pas një trashëgimi të pasur, duke luajtur mbi 30 role dhe më shumë se 12 të tjera në teatër.

Ka spikatur edhe me role të vogla si në “Koncert në vitin 36”, “Radiostacioni”, “Njeriu me top”, “Dhe vjen një ditë”, “Zëvendësi i grave”, apo edhe pas viteve ’90 me “Parullat” dhe “I dashur armik”. Birçe Hasko është nderuar me titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Tv Klan

/tvklan.al