Ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare Stefano Marcelli, gazetar, ish-korrespondent special dhe ish-kryeredaktor i redaksisë së Rai-t në Toskanë.

Lajmi u bë i ditur të enjten, më 6 gusht 2026, nga Shoqata e Shtypit e Toskanës dhe Urdhri i Gazetarëve të Toskanës, përmes presidentëve Sandro Bennucci dhe Giampaolo Marchini, si edhe nga Maria Adele De Francisci, kryeredaktore aktuale e Rai Toscana, së bashku me të gjithë kolegët.

Marcelli ishte një figurë shumë aktive në kronikën dhe politikën e Firences dhe të Toskanës që prej majit të vitit 1975, kur, vetëm 20 vjeç, iu bashkua redaksisë së gazetës Paese Sera në Firence. Ai themeloi dhe drejtoi edhe revistën kulturore Reeds, si dhe ishte drejtues i edicionit informativ të Teleregione.

Ndër punët e tij më të rëndësishme përmenden reportazhet dhe hetimet mbi politikën dhe administrimin e Bashkisë së Firences gjatë periudhës kur kryetar bashkie ishte Elio Gabbuggiani. Më pas iu bashkua Rai-t, ku u bë kryeredaktor në Firence dhe më vonë korrespondent special.

Gjatë karrierës së tij ai trajtoi çështje të rëndësishme si organizata sekrete P2, mafia dhe terrorizmi. Raportoi mbi tragjedinë e tragetit Moby Prince, luftën në ish-Jugosllavi dhe lindjen e integralizmit islamik në Algjeri. Gjithashtu, hetoi trafikun e mbetjeve toksike në Afrikë, një investigim gjatë të cilit u mor peng në Nigeri.

Marcelli dokumentoi edhe rënien e Murit të Berlinit, realizoi reportazhe mes grupeve neonaziste gjermane, ustashëve kroatë dhe madje ndoqi gjurmët e Al Kaedës.

Gjithashtu, Marcelli u bë një shqiptar, me kontributin e tij në median shqiptare. Me mbi pesë dekada përvojë, ai u nda nga jeta në Firence dhe solli eksperiencën e tij në gazetarinë shqiptare, duke u bërë autor në Albanian Post.

Ai zgjodhi Shqipërinë si shtëpinë e tij të dytë. Dikur kishte rrëfyer se kishte ardhur për një reportazh dhe kishte mbetur sepse “u dashurua çmendurisht me një shqiptare”.

Ajo shqiptare ishte Gerta, shoqja e jetës së tij. Përmes saj, Shqipëria nuk mbeti më një vend ku raportonte; u bë vendi ku jetonte, ku krijoi familjen e tij dhe ku ndërtoi një pjesë të rëndësishme të viteve të fundit të jetës.

Në intervistat e tij fliste shpesh për dashurinë ndaj Tiranës dhe për respektin ndaj shqiptarëve. Nuk i kursente kritikat ndaj fenomeneve që e shqetësonin – korrupsionit, krimit të organizuar, mungesës së debatit politik cilësor – por ato buronin nga një bindje e sinqertë se Shqipëria meritonte më shumë. Ai kritikonte sepse i interesonte ky vend.

Në Albanian Post, Stefano ishte një nga kolumnistët më të lexuar. Analizat e tij mbi Ballkanin, Evropën, Rusinë, Kosovën, Shqipërinë dhe zhvillimet ndërkombëtare nuk ishin shkruar për të kënaqur askënd. Ishin shkruar për të provokuar mendimin kritik dhe për të mbrojtur vlerat që ai i konsideronte të panegociueshme: demokracinë, lirinë e shtypit dhe dinjitetin njerëzor.

Edhe libri i tij i fundit, Vladimir il Terribile – Zar, Dio e Patria, ishte në vazhdën e së njëjtës filozofie: gazetaria nuk duhet të jetë spektatore e historisë, por dëshmitare e saj.

Stefano kishte një mënyrë të veçantë për të dëgjuar. Nuk ngrinte zërin për të imponuar autoritetin e përvojës. Autoritetin e kishte fituar prej kohësh. Preferonte ta ushtronte përmes argumentit, ironisë së hollë dhe një kurioziteti që nuk e humbi kurrë.

Sot, mendimi ynë shkon mbi të gjitha te Gerta, bashkëshortja e tij, dhe te Sofia e Andrea, vajza dhe djali i tij. Ata humbën një bashkëshort e baba të dashur, por mbajnë trashëgiminë e një njeriu që ishte po aq i madh në jetën private sa edhe në profesion. Një baba nga i cili mund të krenohesh jo vetëm për atë që shkroi, por për mënyrën si jetoi.

/tvklan.al