Ish-ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u përfshi në replika me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas largimit të saj nga qeveria. Spiropali, e cila nga sot ulet në karrigen e deputetes, tha se e vetmja gjë që i vjen keq është që largimin e saj e paralajmëroi Sali Berisha dhe jo ndonjë tjetër.
“Flas edhe gjuhë tjetër të huaj, por më mirë se shqipen nuk flas asnjë gjuhë. Flas shqip, flas troç, kam folur gjithmonë si duhet për Shqipërinë. Ajo detyrë është nder i madh, por çdo detyrë këtu në kuvend është nder. Jam e qartë, jam e qetë. Më vjen keq vetëm që largimin e paralajmëroi Sali Berisha në sallën e kuvendit dhe jo në ndonjë tjetër. Vetëm për këtë jam e habitur, që i doli fjala, për asgjë tjetër”, tha Spiropali.
Për t’ju përgjigjur asaj ishte kryedemokrati Berisha i cili tha se ishte viktimë e Ballukut. Sipas Berishës, largimin nga qeveria, Spiropali e ka nga vetja sepse “mori përpjetë”.
“Elisa je viktima më e parëndësishme e Lubisë dhe më e merituara në një kohë kur sytë e shqiptarëve drejtoheshin drejt asaj sikur të ishte korba e zezë, aty afër është. Ti na vije si nuse këtu. Pse çfarë kujtoje ti, se bar hante Lubia? Nuk e ke nga Sali Berisha, jo. E ke nga vetja jote. Jo që nuk e mbroje, përkundrazi gëzoheshe se do bëheshe ti zv/kryeministre. Nuk ta priste që do bëhej kjo tjetra kloni. Nuk e ke nga Sali Berisha atë. Për Sali Berishën, Edi Rama të lartësonte njësoj si klonin e Lubisë. E ke nga vetja jote, se more përpjetë. Unë do jem Lubia juaj u thoshte kjo dhe këta të dhanë atë që meritove”, tha Berisha.
Ndërkohë, Spiropali u përgjigj sërish duke akuzuar Berishën se tanimë nuk ka mundësi të lëvizë asnjë gur.
“Të gjithë e kanë nga vetja Sali. Asnjë nuk e kanë nga të tjerët. Unë nga vetja, ti nga vetja dhe për veten vetëm mbajmë përgjegjësi në këtë dhe. Të shohim se ku jemi e ku ishim dhe të shohim edhe për të ardhmen. Nëse i bën analizën e vetes të tjerëve se ti nuk ke më përgjegjësi se nuk lëviz më një gur, por vetja është ajo që na sjell ku jemi dhe për veten mbajmë përgjegjësi, për të tjerat mbajnë përgjegjësi të tjerët”, tha Spiropali.
/tvklan.al












Botërori 2026 