Tre vite e gjysmë ka zgjatur eksperienca e Fulvio Pea si drejtor teknik në Federatën Shqiptare të Futbollit. Italiani ka vendosur të largohet nga detyra për arsye dhe obligime familjare.
Pea ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit teknik, në forcimin e programeve të edukimit të trajnerëve dhe në avancimin e projekteve që lidhen me rritjen e cilësisë së futbollit shqiptar në të gjitha nivelet.
Fulvio Pea falënderoi të gjithë aktorët e futbollit që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij në këtë detyrë, mbi të gjitha presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
“Ka qenë një rrugëtim intensiv, plot angazhime, por njëkohësisht shumë i këndshëm. Fatkeqësisht, ndonjëherë duhet të bësh zgjedhje të vështira, si në këtë rast. Kam vendosur të lë mënjanë angazhimet profesionale për t’i dhënë më shumë hapësirë angazhimeve familjare. Pas 7 vitesh larg Italisë, pas shumë ditësh reflektimesh, mendova se ka ardhur momenti të rikthehem dhe t’i afrohem pak më shumë familjes. Megjithatë, mbetet një eksperiencë shumë e bukur, edhe falë gjithçkaje që kam përjetuar në Shqipëri. Që nga dita ime e parë dhe gjatë gjithë qëndrimit këtu, falë karakteristikës së veçantë të shqiptarëve, që janë shumë mikpritës”, deklaroi Pea.
Federata Shqiptare e Futbollit e konsideroi bashkëpunimin me Pean si korrekt me të gjitha strukturat e institucionit gjatë kësaj periudhe.
/tvklan.al












Botërori 2026 
