Largimi i ministrit të mbrojtjes se ukraines nga qeveria e Kievit ka hapur një front të ri për presidentin Volodymyr Zelensky, në një kohë kur Ukraina ka bërë përparime thelbësore në luftën ndaj Rusisë.
Mykhailo Fedorov u largua nga detyra pasi qëndroi vetëm gjashtë muaj në këtë post, duke udhëhequr një fushatë të suksesshme të sulmeve me dronë në zemër të Rusisë, ndaj industrisë së saj të naftës dhe anijeve në Detin e Zi dhe Detin Azov.
35-vjeçari akuzoi ashpër komandantin e forcave të armatosura të Ukrainës, Gjeneralin Oleksandr Syrskyi, për nxitje intrigash, bllokim të iniciativave të tij dhe sabotim të punës së tij.
Kjo shënoi herën e parë që tensionet shpërthyen para syve të publikut.
Ish-ministri akuzoi shefin e ushtrisë për bllokimin e iniciativave të propozuara prej tij, për njësi të organizuara dobët dhe mungesë përgjegjësie personale në ushtri.
“Në vend që të gjejë një mënyrë për ta mposhtur në mënyrë asimetrike Rusinë… ai ka gjetur një mënyrë për ta ndarë vendin. Populli ukrainas është i mençur, kështu që e dini çfarë të bëni. Por kini kujdes, sepse Rusia do të bëjë gjithçka për të shfrytëzuar çdo dobësi brenda vendit tonë në avantazhin e vet”, tha Fedorov.
Pas sulmit, Syrskyi publikoi një deklaratë të shkurtër në të cilën falënderoi Fedorovin për punën e tij si ministër i mbrojtjes dhe tha se Ukraina duhej të përqendrohej në luftë.
Presidenti Zelensky emëroi shefin e përkohshëm të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Yevhen Khmara, si ministër të përkohshëm të mbrojtjes, duke lënë kështu të hapur një mundësi për rikthimin e Fedorov.
Kjo lëvizje erdhi pasi mijëra ukrainas mbushën sheshet në Kiev dhe qytetet e tjera të vendit në mbështetje të Fedorov, duke kërkuar që ai të mbetet në detyrë, për të vazhduar atë që është cilësuar si një fushatë e suksesshme ndaj Rusisë.
Tensionet në lidhje me cështjen Fedorov u shoqëruan me dorëheqje të tjera. Zëvendëskomandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, Pavlo Yelizarov njoftoi dorëheqjen e tij.
Kolonel Yelizarov paralajmëroi në letrën e tij të dorëheqjes se shkarkimi i Fedorov, prioritetet kryesore të të cilit përfshinin reformimin e sektorit të mbrojtjes ajrore, do të shkaktonte më shumë viktima dhe shkatërrime në Ukrainë nga sulmet ruse me raketa dhe dronë.
Përplasjet e fundit tregojnë si presionin e brendshëm në rritje brenda forcave mbrojtëse të Ukrainës, më shumë se katër vjet që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, ashtu edhe vizionet e ndryshme se si të zhvillohet lufta në epokën e dronëve.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 